Është ndërprerë ndeshja Sopoti-Mirdita e vlefshme për javën e 23-të të Kategorisë së Dytë në Grupin A. Librazhdiotët e mbyllën pjesën e parë në avantazh 2-1 me gola të Mziut dhe Sejdinit, teksa ndeshja luhej në stadiumin “Nexhip Trungu” të qytetit të Cërrikut.
Burime për “Panorama Sport” bëjnë me dije se një futbollit i Mirditës ka goditur gjyqtarin kryesor të ndeshjes Klajdi Qëndraj duke e gjakosur. Por nuk mbaron me kaq. Agresori është më pas është futur në dhomat e zhveshjes dhe nga dhomat e tualetit ka mundur të arratiset.
Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se kur policia ka hyrë brenda në dhomat e zhveshjes futbollisti agresor ia ka mbathur dhe nuk kanë mundur ta arrestojnë. Uniformat blu janë vënë në kërkim të lojtarit, ndërkohë që po merren në pyetje lojtarët dhe stafi i Mirditës.
Stafi i Mirditës ka zbuluar se dhunuesi nuk ishte lojtari me identitetin e protokollit, por një tjetër futbollist, duke nxjerrë në pah kështu edhe një mashtrim të ekipit të Mirditës pas dhunës së ushtruar ndaj arbitrit kryesor të ndeshjes.
Dhuna ndaj arbitrit vlonjat Klajdi Qendraj, ka ardhur nga lojtari që sipas protokollit identifikohej si Ylli Gjegja me numrin 2 i ekipit të Mirditës.
Por, në të vërtetë pas verifikimit të kryer nga zyrtarët e FSHF dhe policia lokale rezultoi të ishte Armando Marku, që luajti me emrin e Ylli Gjegjës. Nga ana tjetër, arbitri Klajdi Qendraj ka marrë ndihmën e shpejtë mjekësore në Spitalin e Cërrikut dhe më pas ka depozituar në Policinë e Cërrikut denoncimin për dhunimin me pasojë plagosjen e tij, ndërsa ishte duke kryer detyrën. Pasi janë marrë në pyetje për gati dy orë, lojtarët e ekipit Mirdita së bashku me stafin janë lënë të lirë.