Mbrojtësi i majtë, Armando Rami, është një ndër lojtarët më të rëndësishëm të Kastriotit. 24-vjeçari luan sezonin e katërt në Krujë dhe në këtë sezon është një ndër lojtarët që ka marrë shumë minuta. Mbrojtësi ka folur për “Panorama Sport” mbi fitoren e fundit, ndeshjet e radhës, garën, por edhe për aspektin e tij personal.


Armando, sa e rëndësishme ishte kjo fitore ndaj kryesuesve?

Ishte një nga ndeshjet më të mira tonat, dhe natyrisht që fitorja ishte shumë e rëndësishme. Ne e kishim përgatitur me detaje sfidën dhe fatmirësisht ia arritëm qëllimit, duke marrë tri pikët që i kishim të domosdoshme.

Keni lënë pas shumë javësh vendin e fundit…

Është diçka pozitive që 2022-shin e kemi nisur mirë. Kemi marrë pikë të rëndësishme me kundërshtarë mjaft të fortë dhe të vështirë. Normalisht deri tani nuk kemi arritur asgjë, pasi jemi ende në zonën e rrezikut, ndaj na duhet shumë punë dhe rezultate të mira për t’u larguar nga kjo zonë e kuqe. Shpresoj që të jetë e shpejtë dita kur kjo të ndodhë, pasi Kastrioti me atë që ka treguar në këto javë e meriton.


Çfarë ju bën të besoni që mund t’ia dilni të lini, e pakta, dy skuadra poshtë vetes?

Janë shumë faktorë. E para kemi një skuadër mjaft të mirë me emra cilësorë. Kemi një staf që ka ndryshuar ambientin dhe atmosferën. Një trajner që ka qenë pjesë e skuadrës deri pak kohë më parë, na njeh të gjithëve dhe na i di pozicionet dhe cilësitë. Kjo ka bërë që gjithsecili të luajë në pozicionin e tij natyral dhe besoj se kjo na ka ndihmuar.


Janë dy javët e ardhshme vendimtare për mbijetesën, duke qenë se përballeni me dy rivalët, Egnatian dhe Skënderbeun?

Këto dy përballje janë mjaft të rëndësishme për ne. Deri diku janë shumë të rëndësishme, por nuk do të thosha që vulosin gjithçka.


E nisim nga Egnatia, sa e vështirë do të jetë në Rrogozhinë?

Sigurisht që përballjet direkte janë mjaft delikate dhe të vështira. Megjithatë, për të mos rënë në përsëritje, mendoj se ndeshja me Egnatian do një vlerësim maksimal. Mendoj që dhe ata kanë një ekip të mirë, por ne do të shkojmë të bëjmë lojën tonë, të japim më të mirën, ku besoj se në qoftë se do e bëjmë këtë, do të marrim edhe rezultat të mirë.