Nga Endri ÇINARI

Nëse ka një futbollist që po udhëheq Vllazninë me golat e tij e po ashtu më i spikaturi në Superiore, ai është Bekim Balaj. Shtatlarti duket se po kalon një rini të dytë, ku tashmë në moshën 34-vjeçare nuk ndalet së shënuari. Shkodrani është aktualisht golashënuesi më i mirë i Superiores, ku në kuotën e 14 golave udhëheq tabelën e golashënuesve më të mirë.

Madje ish-futbollisti i kombëtares ka tejkaluar edhe veten, ku sezonin e shkuar kishte shënuar 12 gola pas 23 javësh. E ndërsa këtë sezon numëron 14 të tillë, duke shkuar i sigurte drejt “Këpucës së Artë” për të dytin sezon rradhazi. Edhe shifrat e javëve të fundit në kampionat konfirmojnë për formën e shkëlqyer të Balajt. I cili është njeriu i momentit në elitën e futbollit tonë, shkruan shkodrasport.com

Në 5 javët e fundit në kampionat, ish-lojtari edhe i Rijekas ka gjetur 6 herë rrugën e rrjetës. Me një mesatare prej 1.2 golash për ndeshje, shifra të një bomberi të vërtetë. Balaj gjatë kësaj periudhe ka gjetur 2 herë golin në fitoren 2-1 kundër Tiranës.

Ka shënuar një tripletë në triumfin 0-4 ndaj Skënderbeut e po ashtu ka shënuar në fitoren e Vllaznisë 1-3 kundër Teutës. Sulmuesi nuk ka shënuar gjatë kësaj periudhe në humbjen e shkodranëve 2-0 ndaj Partizanit e po ashtu disfatën 0-2 ndaj Egnatias.

Duke treguar qartazi “varësinë” e skuadrës ndaj tij, ku në rastet ku Balaj nuk gjen golin, Vllaznia e ka shumë të vështirë të sigurojë fitore dhe suksese.(www.shkodrasport.com)