Deri në vitin 2015 ka luajtur futboll. Një lojtar me të ardhme, i dalë nga Akademia Vllaznia por duke mos gjetur vend tek skuadra e parë e këtij qyteti sepse aty luanin Sinani, Sukaj, Vajushi e ndonjë tjetër.

Filloi të lëvizte për të vazhduar karrierën tek Tërbuni, Prizreni, Mamurrasi e Burreli, skuadër ku e mbylli karrierën në maj të vitit 2015. Bëhet fjalë për Arlind Piranin.

Vendosi të tërhiqej në moshën 25 vjeçare sepse mendja i shkoi diku tjetër: tek arbitrimi. Në shtator të atij viti rregjistrohet në kolegjiumin e arbitrave të Shkodrës.

Nis të arbitrojë me moshat e pastaj në sezonin 2016-17 është arbitër i kategorisë së dytë ku paraqitet shumë mirë dhe në verën e vitit të kaluar fiton normat për të qenë arbitër i kategorisë së parë.

Pirani deri më tani ka arbitruar dy ndeshje të kategorisë së parë të këtij sezoni, një ndeshje kupe dhe të tjerat ka qenë me bilbilin e tij në shumë ndeshje të kategorisë së dytë.

Mosha e re, përgatitjet e mirë fizike dhe teknike, me shumë mundësi janë një avantazh për të dhe shumë shpejt, nuk përjashtohet mundësia që ai të fitojë të drejtën për të arbitruar në Superligë.

Në Shkodër kësisoj “po lind” një arbitër i së ardhmes. Një ish- futbollist që e ka marrë me shumë dëshirë këtë profesionin e ri.

Avantazh për të ka qenë edhe njohja e mirë e rregullores së futbollit dhe tashmë ai po e vë në funksion të arbitrimit. Prandaj, mos e neglizhoni:

Shumë shpejt do të shohim duke drejtuar Skënderbeun, Flamurtarin, Kukësin, Partizanin dhe ekipet e tjera të Superligës shqiptare edhe…Arlind Piranin. Kjo është mëse e sigurtë sepse nuk ka si të jetë ndryshe.
© shkodrasport.com