Kampionati maltez i futbollit është futur në një fazë shumë interesante. Pas 10 javësh, ekipi kryesor i vendit, Valletta është futur totalisht në vallen për titull. Rekordmenët e ishullit kanë fituar ndeshjen e 3-të rradhazi dhe tashmë janë në kuotën e 19 pikëve, vetëm 5 pikë larg vendit të parë që mbahet nga Hibernians me 24 pikë.
Por protagonist me skuadrën e Vallettas vijon të shfaqet nga java në javë, Eslit Sala. Mesfushori shkodran që tashmë është kthyer në një titullar të padiskutueshëm, sërish në fitoren e fundit kundër Mosta në shifrat 3-1 ishte një nga më të mirët në fushë.
Paraqitja e tij është vlerësuar në maksimum nga ekspertët e futbollit në Maltë. Kjo pasi 21-vjeçari është shpallur në formacionin më të mirë të javës së 10-të të kampionatit. Një vlerësim ky për futbollistin e dalë nga akademia Ajaks në Shkodër.
Sala është një nga liderët e ekipit të Vallettas dhe një nga futbollistët më cilësorë të kampionatit maltez. I aktivizuar si mbrojtës dhe mesfushor deri më tani ai ka shënuar 2 herë për Vallettan e po ashtu ka dhuruar edhe 2 asiste për shokët e skuadrës.
Këto statisitika apo edhe nivel i i lojës që ka shfaqur bëjnë që shpesh mediat sportive në Maltë të vlerësojnë performancat e shkodranit.
Endri ÇINARI