Kombëtarja e femrave ka shënuar fitore në miqësoren e sotme luajtur ndaj Bullgarisë në Sofje.Vajzat kuqezi kanë fituar me rezultatin 2-0 falë dopietës së shënuar nga futbollistja e ekipit të Vllaznisë Sara Maliqi. Përfaqësuesja jonë zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë ku arriti të finalizojë me sukses edhe dy nga aksionet. Goli i parë erdhi në pjesën e parë dhe i dyti në fraksionin e dytë.

Trajneri Armir Grima në përfundim të ndeshjes u shpreh i lumtur për fitoren e arritur ndërsa përgëzoi edhe vajzat për lojën e zhvilluar. “Një fitore që na vlen. Kemi punuar shumë edhe gjatë eliminatoreve por nuk kemi mundur të transmetojmë dot më të mirën në fushë. Nëse vazhdojmë në këtë ritëm besoj se rezultatet do të vijnë”,- theksoi Grima nga Sofja për faqen zyrtare të FSHF. Takimi i ardhshëm me përfaqësuesen bullgare do të luhet në datë 12 dhjetor, ora 11.00.