E tillë mund të quhet ajo çfarë ndodhi me Vllazninë në ndeshjen e sotme të luajtur në Berat ndaj Tomorit vendas. Nga udhëheqja e rezultatit 2-0 në fillimin e pjesës së dytë, rezultati përfundimtar 2-2 fajëson të gjithë pjestarët e kësaj skuadre duke filluar nga trajneri Shpëtim Duro dhe duke përfunduar tek futbollisti i fundit. Rrallë i ka ndodhur kësaj skuadre të sigurojë një avantazh të tillë prej dy golash në një ndeshje në transfertë por sot ja që kjo u realizua. Goli i Hysës që në minutën e parë të ndeshjes është pasuar nga ai i Smajlit me 11-metërsh në minutën e 47-të por vetëm kaq. Me këtë epërsi shkodranët duket se e menduan të fituar ndeshjen por nuk do ndodhte kështu. Afrikani Ofoyen do ngushtonte rezultatin në minutën e 50-të dhe goli i barazimit për beratasit do vinte në minutën e 91-të pas ekzekutimit të një goditje dënimi dhe përgjumje të gjithë mbrojtjes kuqeblu duke e lejuar Hyskon ta dërgonte topin në trekëndësh. Një barazim disi i çuditshëm që do t’i kushtojë jo pak Vllaznisë në javët e ardhshme sepse rrallë do t’i rastisë të ketë një ndeshje të tillë. Me një fitore të mundshme sot, ajo do kalonte edhe Tiranën në renditje duke qenë kështu në mes tre ekipeve më të mira të vendit por nuk paska qenë e thënë që skuadra shkodrane të mundë ekipet më të dobëta të kampionatit. Ashtu si ndaj Apolonisë, edhe ndaj Tomorit ka marrë vetëm barazime.
www.shkodrasport.com