Ndeshja mes Veronës dhe Romës, në javën e pare të Serisë A, mund të ketë pasoja për verdhekuqtë, të cilët mund të humbasin edhe atë pikë që e fituan jo pa vështirësi. Ndeshja u mbyll 0-0, por Verona mund ta fitojë atë 3-0 në tavolinë nëse komisionet disiplinore zbatojnë rregulloret.

Amadu Diavara, i cili u aktivizua në këtë ndeshje me Romën, figuron i regjistruar në mënyrë të gabuar nga klubi kryeqytetas për duelin në fjalë. Vitin e kaluar, lojtari ishte 22-vjeçar dhe u regjistrua në listën B sipas rregullores që parashikon se aty mund të futen futbollistë nën moshën 23-vjeçare.

Duket se Roma ka harruar të përditësojë listën dhe nuk ka futur emrin e Diavara në listën A prej 25 emrash të këtij sezoni. Që nga korriku, Diavara është 23 vjeç dhe duhej të ishte në listën A.

Por Roma e ka mbajtur atë përsëri në listën B dhe e ka aktivizuar si pjesë e saj. Një detaj i vogël dhe në dukje i parëndësishëm, por që sipas rregullores parashikon edhe humbjen 3-0 në tavolinë, që do të ishte një gioditje e rëndë për skuadrën e Romës dhe drejtuesit e rinj të saj. /vipsport/