Kampionati Europian i atletikës në salla të mbyllura që po mbahet në Gllazgou të Skocisë, ka rezultuar totalisht zhgënjyes për Shqipërinë, pasi as Luiza Gega dhe as Izmir Smajlaj nuk kanë zbritur në pistë.
Një mungesë informacioni në njohjen e rregullores, ka bërë që Luiza Gega të skualifikohet. Një veprim amatoresk pasi kampionia e Ballkanit në 1500 metra, ishte regjistruar në garat e 1500 dhe 3000 metrave, dhe duhej të kishte deklaruar 24 orë para garës se nuk do të merrte pjesë në disiplinën e parë.
Veprim i cili i kushtoi përjashtimin edhe nga gara e dytë. Është për të ardhur keq, që në këto nivele kaq të larta të ndodhin gafa të këtyre përmasave, duke i hequr mundësinë e garës Luiza Gegës që i ka dhuruar triumfe të shumta atletikës shqiptare duke e përfaqësuar vendin tonë me sukses në arenën ndërkombëtare.
Një tjetër sportistit që duhej të garonte ditën e djeshme ishte edhe Smajlaj. Por për kampionin e Europës së vitit 2017, në kërcim së gjati në salla të mbyllura, ishte një ditë e pafat, pasi një dëmtim muskulor i pengoi që të zbresë në pistë.
Smajlaj duhej të merrte pjesë në garat eliminatore të kërcimit për së gjati por mjekët e këshilluan që të mos garojë për shkak se gjendja e tij shëndetësore mund të agravohej duke dhe mund të rezultonte fatale për karrierën e sportistit.
Një goditje e rëndë kjo për Shqipërinë pasi Izmir Smajlaj, ishte një sportist që mund të garantonte medalje në këtë kampionat. Kujtojmë që rekordi i atletit shkodran në kërcim së gjati është 8.08 metra, i vendosur në Beograd, në Europianin e sallave të mbyllura në 2-17-ën. Ndërkohë presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Gjergj Ruli, i cili është njëkohësisht edhe trajner i Izmir Smajlajt, e komentoi kështu dëmtimin e pësuar nga atleti.
“Izmirin e tërhoqa nga gara e Gllazgout, pasi përpara disa ditësh në stërvitje ka pësuar një tërheqje në kofshë. Ngacmimi është shumë i madh dhe nëse do të rrezikonim jam i bindur që do të pësonte ndonjë këputje muskulare. Tashmë përpara kemi gara të tjera të rëndësishme si dhe Kampionatin Botëror”.