Një lajm disi i çuditshëm ka qarkulluar pasditen e djeshme në të gjitha mediat shqiptare. UEFA në publikimimin e ndeshjeve të “Uefa Youth League”, ka rregjistruar emrin e futbollistit shkodran Arif Amuli si golashënues në ndeshjen Dinamo Zagreb- Atalanta 1-0.
Mjafton të klikosh tek faqja zyrtare e institucionit të futbollit europian dhe do ta konstatosh lehtë këtë gjë. Nëse kërkon të marrësh më shumë informacion në lidhje me këtë lojtar, konstaton se ai është i datëlindjes 07.01.2001.
Lajmi mori dhenë. Të gjitha mediat dhe portalet shqiptare e publikuan atë duke shkruar se ish- futbollisti i Akademisë Vllaznia bëhet protagonist me këtë gol të shënuar në këtë kompeticion të rëndësishëm europian për futbollin e moshave.
Por në fakt, në Shkodër janë çuditur shumë me një lajm të tillë. Futbollisti në fjalë është vërtetë i datëlindjes 07.01.2001, nuk luan sulmues por mbrojtës dhe është aktualisht pjesë e ekipit AAS U19. Ai edhe dje ka qenë në stërvitje me këtë ekip ashtu si çdo ditë, ndërkohë që të dielën ka luajtur ndaj Tiranës në ndeshjen e kampionatit dhe kete e konstatoni edhe tek protokolli i kesaj ndeshje qe po publikojme me poshte.
E çuditshme në fakt sesi UEFA ka bërë një ngatërresë të tillë në protokollin e kësaj ndeshje sepse Arif Amulin aktualisht nuk e lidh asgjë me Dinamon e Zagrebit. Nga sa mësohet, autori i golit ndaj Atalantës ka qenë futbollisti nga Gjakova Bernard Karrica. Ja pra ndodh që edhe institucioni i futbollit europian të bëjë gabime të tilla.
© shkodrasport.com