Trajneri i kombëtarës shqiptare të femrave Altin Rraklli ka bërë një gafë në ndeshjen miqësore të para dy ditëve të zhvilluar ndaj kombëtares U-19. Në pjesën e dytë të kësaj miqësore, ai ka aktivizuar për disa minuta 12 futbolliste në fushën e lojës. Ka qenë trajneri i kombëtares U-19 Saimir Keçi ai që e ka vërëjtur këtë gjë teksa ka numëruar kundërshtaret e ekipit të tij në fushë dhe e ka sinjalizuar kolegun e tij, i cili duket se nuk i ka kushtuar vëmendje zëvendësimeve në fushë dhe në momentin kur ka dashur të bëjë një zëvendësim, njëra nga futbollistet që është dashur të largohet, ka vazhduar të jetë në fushë. Kështu pat ndodhur pak kohë më parë edhe në një miqësore në mes ekipeve të meshkujve të Vllaznisë dhe Adës, kur kjo e fundit luajti në fushë me 12 futbollistë. E njëjta gjë u përsërit edhe në miqësoren e ekipeve kombëtare të femrave. Por përveç këtij gabimi, në këtë miqësore është vërejtur edhe diçka tjetër. Në minutat e fundit të pjesës së parë, njëra nga futbollistet e kombëtares së madhe është ndëshkuar me karton të kuq. Ndonëse miqësore, sigurisht që ndeshja ka rregullat e veta por në fakt në pjesën e dytë,kombëtarja e madhe sërish ka luajtur me 11 futbolliste në fushë madje për pak minuta edhe me 12 nisur nga harresa e Rrakllit. Në përfundim të takimit, skuadra e drejtuar prej tij në fakt ka fituar me rezultatin e pastër 5-0 pasi dihen diferencat në mes dy ekipeve, nisur jo vetëm nga mosha por edhe eksperienca e futbollisteve. Në rradhët e të dy këtyre kombëtareve, duhet thënë se ka patur shumë futbolliste të dy ekipeve të Shkodrës, Vllaznisë dhe Juban Danjes.
© shkodrasport.com