Gani Muriqi ka lindur në Shkodër në vitin 1937 dhe që i vogël, ndoshta duke parë edhe vëllanë më të madh- Fadilin tek stërvitej me biçikletë, vendos të ndjekë rrugën e tij. I futet sportit të çiklizmit me të cilin do të ushtrohej për 13-14 vjet duke fituar disa gara dhe të shkonte deri tek vendi i dytë, ai i nënkampionit të Shqipërisë në Rrethet Çiklistike.
Ganoja- siç e thërrisnin të gjithë, përveçse me Vllazninë, do të aktivizohej edhe me Partizanin në periudhën që kryente shërbimin ushtarak dhe në të gjitha garat që zhvilloi u dallua për shpirtin e lartë të garës që e karakterizonte. Pas karrierës si sportist, menjëherë nis atë të trajnerit duke drejtuar ekipin e Vllaznisë.
Ishte një eksperiencë e re për të por jo shumë e vështirë sepse mbi të gjitha ishte pasioni që e ndihmonte për ta bërë mirë atë. “Dëshirën për çiklizmin e kishte kaq të madhe saqë gjatë gjithë ditës mendonte vetëm për të. Shkonte paradite në punën e shtetit, vinte pasdite dhe dilte në stërvitje me çiklistët por ndërsa ata shkonin më pas nëpër shtëpitë e tyre për të pushuar, Ganoja vazhdonte punën.
Riparonte biçikletat në mënyrë që të nesërmen ato të ishin gati. Një punë që e lodhte shumë, por e bënte me qejf pavarësisht se nuk ishte mekanik. Dhe përgatitja e tij për të nesërmen nuk mbaronte me kaq. Në darkë bënte planin e stërvitjes për të nesërmen duke ia përshtatur atë edhe garave që bëheshin”- thotë Qamilja, bashkëshorja e tij.
Me të vërtetë ashtu ishte. Ganoja kishte lindur për këtë sport dhe atij do t’ia falte pothuajse të gjithë vitet e jetës së tij. Të gjithë kështu mendojnë për të. Po të flasësh me ish-sportistë të tij, shokë e kolegë, të gjithë të thonë: “Njeri i tillë vështirë se do t’i vijë më çiklizmit”. Dhe në punën e trajnerit fillon “të gatuajë” dalëngadalë sukseset e së ardhmes. Viti 1980 do të ishte viti i kthesës së madhe për çiklizmin shkodran.
Gani Muriqi ka formuar një ekip simpatik me emra të rinj si Agim Tafili, Brahim Syka, Sytki Tafili, Agim Ferracaku, Sabri Sinori e Hyrjan Puka dhe me to fillon të thotë fjalën e vet në çiklizmin shqiptar. Titulli i parë kampion për Vllazninë nuk do të vononte. Do ishte viti 1982 që do të shënonte fillimin e dominimit të Vllaznisë mbi dyshen Partizani- Dinamo.
Ky sukses nuk do ishte i vetmi sepse pas tij do të vinin edhe pesë të tjerë, pikërisht në vitet 1984, 1985, 1986, 1988 dhe 1989. Dhe në to padyshim që do kishte “vulën” e vet edhe trajneri Gani Muriqi. Udhëzimet dhe taktikat e tij gjatë garave ishin tepër me vend dhe për pasojë do vinin 6 titujt kampion si ekipi por edhe sukseset individuale të Agim e Sytki Tafilit pa harruar shumë e shumë gara të fituara nga ato dhe Brahim Syka.
Pavarësisht këtyre sukseseve, Ganoja asnjëherë nuk është dëgjuar të përmendë fjalën “unë”. Meritat ia linte të tjerëve sepse nuk ishte njeri për lëvdata. Ai ishte i gëzuar që realizonte dëshirat që kishte por jo i kënaqur me to. Tek ai dëgjoheshin përherë objektiva të reja për rezultate më të mira, për rekorde të reja dhe për tituj të tjerë kampionë.
“Profesor Ganoja ishte me të vërtetë një trajner i madh por mbi të gjitha një njeri i mirë. Ai ishte për ne si një shok e nuk konsiderohej trajner”- thotë njëri nga çiklistët e dalë nga duart e tij- Sytki Tafili.
Gani Muriqi ka qenë për disa vite edhe trajner i ekipit kombëtar me të cilin ka arritur disa suksese duke veçuar atë të Turqisë ku Shqipëria zuri vendin e dytë.
Dhe kur pritej që ai të vazhdonte me sukseset, papritur e largojnë nga drejtimi i ekipit të të rriturve duke e kaluar tek të rinjtë sepse… i mungonte arsimi i lartë!!! Një justifikim i kotë sepse profesor Ganoja nuk kishte nevoja për diploma të shkollës së lartë. Ai tashmë e kishte fituar atë dhe ishte PROFESOR.
Megjithatë edhe me të rinjtë është përsëri kampion i vendit, madje në shumë gara çiklistët e tij renditen në tre vendet e para. Pasionin për këtë sport, Ganoja e përcolli edhe tek i biri- Fuati. Megjithatë mjeshtri i çiklizmit iku shpejt. Ka vdekur më 12 shkurt 1993, në moshën 56 vjeçare kur kishte ende shumë për t’i dhënë këtij sporti megjithatë la pas një emër shumë të mirë. Jo më kot, klubi Vllaznia e ka vlerësuar me titullin e lartë “Trajner i shekullit” në çiklizëm.
Gjergj KOLA