Vllaznia e mbylli këtë vit me barazimin 1-1 kundër Kukësit në “Loro Boriçi”. Një rezultat që la disi një shije jo edhe aq të mirë duke parë lojën që zhvilluan shkodranët. Ku edhe humbën disa raste të pastra gjatë takimit. Por edhe sfida ndaj verilindorëve kishte një notë pozitive.

Ai quhet Kristi Qarri. Portieri 21-vjeçar bëri debutimin e tij absolut nga minuta e parë në Superligën tonë të futbollit. Më parë ishte aktivizuar në kupën e Shqipërisë. Gardiani luajti si titullar për herë të parë pasi portieri Zogoviç kishte disa probleme shëndetësore. Fakt që bëri të pamundur aktivizimin e malazezit kundër Kukësit.

Por Qarri nuk zhgënjeu në asnjë moment. 2-3 ndërhyrje vendimtare, sidomos pritja në pjesën e dytë kundër Dacit. Po ashtu një lojë e mirë me këmbë dhe personalitet në daljet e tij për të larguar topat e rrezikshëm që vinin drejt portës. Aspak emocione, duke treguar kështu që nuk është thjesht një alternativë, por portieri i së ardhmes.

I dalur dhe formuar tek akademia Vllaznia dhe i vlerësuar nga opinioni sportiv në Shkodër, 21-vjeçari është garancia e së ardhmes. Porta duket se do jetë një problem u zgjidhur për shumë vite me rradhë tek shkodranët.

Por kjo është edhe një “tërheqje veshi” për të gjithë, që duhet besuar akoma më tepër tek elementi i ri, pasi çdo herë që zbresin në fushë ofrojnë performanca pozitive.
Endri ÇINARI