Ka lindur në Cetinë   në vitin 1903.I ati i  i Gasprit quhej  Zef Kolë Ndoka nga Ndergjinajt e Shoshit i larguar në Mal të zi në kërkim të mundësive me të mira për jetesë. Zef Kolë Ndoka në vitin 1902 martohet me Nushën, të bijën e Kolë Simon Jubanit që shërbente në punë pranë  Konsullatës Franceze në Shkodër.

Zef Kolë Ndoka pati dy djem, Gasprin dhe Pashkun, babanë e piktorit të Shquar Zef Shoshi dhe Gasprin (nënvizimi P.M) “Një pjesë  të fëmijërisë, Gaspri e ka kaluar në Mal të Zi. Nusha Gasprin e ka sjellë në Shkodër pranë prindërve të saj disa vite para se të kthehej gjithë familja nga Potgorica”.

Me fillimin e Luftës së Parë Botërore familja Shoshi  nga lagjja Ndergjinaj kthehet në Shkodër. Gaspri kryen këtu shkollën fillore dhe një pjesë të shkollës së mesme në Gjimnazin e Françeskan, por për arsye ekonomike  detyrohet ta lërë shkollën dhe të fillojë punë për t’ i ardhë në ndihmë ekonomikisht familjes së tij me të ardhura modeste.

“Përgatitjen dhe aftësinë  e tij e dëshmon fakti se, megjithëse me shkollë të mesme të pambaruar, në vitet 1924-1925 e gjejmë mësues të gjuhës shqipe në Gjimnazin e Gjirokastrës. Këtu djaloshi i talentuar tërhoqi vëmendjen e profesorit francez të  gjuhës frënge të Gjimnazit, i cili duke konstatuar se Gaspri zotëronte si shqipen edhe latinishten,i propozon Ministrisë së Arsimit t’i jepet një burse studimi”.

Propozimi  i profesorit francez u miratua dhe Gaspri dërgohet për studime në Freistad të Austrisë. Këtu, ai kryen tri klasë te fundit të gjimnazit dhe pastaj vazhdon studimet në filozofi dhe filologji. në Universitetin e Vjenës.

Në atë universitet prestigjioz diplomohet dhe merr gradën Doktor në Filozofi, duke u renditur në plejadën e intelektualëve të shquar shqiptar që u lauruan në vitet 20-30 në shkollat austriake, si: Prof Aleks Buda, Dr Frederik Shiroka, Prof Eqerem Çabej, Dr. Jani Bosho, poeti Lasgush Poradeci, Mihal Buda, Dr. Veteriner Vreto e te tjere. “Teza e tij e doktoraturës, e shkruar në latinisht në vitin 1938, nga ana gjuhësore është vlerësuar  si punimi më i mirë në latinisht i paraqitur në atë vit në Universitetin e Vjenës”.

Në vitin 1938 kthehet në atdhe dhe fillon punë si profesor i gjuhës latine  në Institutin Femëror dhe më pas në Gjimnazin e Tiranës. Në vitet e para pas çlirimit transferohet për dy vjet në gjimnazin e Vlorës .Mbas kthimit në Tiranë vazhdon të japë serish latinisht në Fakultetin e Mjekësisë, në Politeknikumin Mjekësor, në Gjimnazin Sami Frasheri dhe së fundi në Fakultetin e Veterinarisë të ILB të Kamez, prej ku edhe doli në pension.

Bashkëkohësi dhe kolegu i tij i moshuar Prof Inac Zamputi thotë se;- “Gaspër Shoshi ishte jo vetëm një njohës shumë i mirë i latinishtes, por edhe i gramatikës së gjuhës shqipe, madje ishte një mjeshtër i komenteve të thella për shumë aspekte të krahasimit të gramatikës latine dhe asaj shqipe si gjuhë të dyja shumë të lashta”.

Profesor Shoshi mësimin e latinishtes e konceptonte njëkohësisht edhe si mësim të gjuhës shqipe dhe mësim gramatike të krahasuar. Gjerat më të çmuara ai ua transmetonte nxënësve dhe studenteve të tij të cilët e vlerësonin për nivelin e lartë të përgatitjes shkencore didaktike dhe cilësitë e larta që manifestonte si njeri dhe edukator shembullor në marrëdhënie korrekte dhe të çiltra  me njerëzit. 

Ish nxënësi i tij Dr. Ing Zef Rakacolli dëshmon: “E mbaj mend mirë mënyrën mahnitëse me të cilën ai në vitet 1941-1942 na jepte latinisht në klasën e parë dhe të dytë të gjimnazit. E kujtoj Gasprin me mirënjohje dhe respekt të veçante, sepse duke na shpjeguar latinishten na e bënte akoma më të kuptueshme shqipen e të ndjenim bukurinë e saj. Mësimin e tij që gjithmonë arrinte ta paraqiste teje të kapshëm në thelbin e gjerave, duke më bërë të kuptoj për herë të parë për logjikën e gramatikës.

Ai dinte të bënte të kuptueshme e të ndjeshme e të bukura edhe ato gjera që deri atëherë i kishim mësuar më fort përmendesh., si korniza që shpesh na dukeshin të pakuptimta”. Profesor Gaspër Shoshi për me se tridhjetë vjet punoi e dha kontributin e tij të shquar jo vetëm në lëmin e pedagogjisë, por kontributi i tij do të mbetet i paharruar edhe në historinë shqiptare.

Me emrin  tij fillon alfabeti  i Kampionëve të Shqipërisë në shah( sportin e mendjes).Profesor Bujar Hoxha, Mjeshtër Sporti, duke përcjellë mbresat e  atyre viteve shkruan :”Kur në vitin 1946 Federata Shqiptare e Sporteve dhe seksioni i shahut vendosëm të organizojmë Kampionatin e parë Kombëtar të Shahut u gjendem përpara vështirësive te mëdha; Kush do të merrte pjesë në të?!Kampionatit nuk do t’i printe gara kualifikuese kështu që pjesëmarrësit do të ftoheshin drejt për drejt.

Disa prej tyre njiheshin të tjerë jo. Nder të ftuarit qe edhe Gaspër Shoshi. Kampionati u zhvillua në një nga sallat ku më vonë u vendos Akademia e Shkencave”. Në ketë garë ku morën pjesë 14 shahistë vendin e parë e zuri Gaspër Shoshi, i cili u shpall kampioni i parë i Shqipërisë.

“ Si pjesëmarrës më ka mbetur në kujtesë qëndrimi i Gaspër Shoshit pas përfundimit të garës, i thjeshtë, gojë ëmbël… Unë e njihja qyshe në vitin 1939 kur na jepte latinisht, ndaj nuk habitesha nga qëndrimi i mësuesit tim. Gaspri ashtu siç qe i ëmbël i butë dhe i komunikueshëm me nxënësit e studentet e tij, ashtu qe edhe në jetë dhe në çdo veprimtari të veçantë edhe në shah”.

Shahu ka qenë një nga pasionet e mëdha të (profesioni i dytë)  jetës së Profesor Shoshit
Prof. Gaspër Shoshi, Prof. Ahmet Gashi, Xhafer Çaushi, Kolë Marashi janë garda e vjetër e shahistëve tanë më të shquar të viteve të para luftës. Më tepër se sa një kampion Gaspër Shahu ka meritën si një nga themeluesit dhe propaganduesit e këtij sporti të pa traditë në Shqipëri.

Pas Çlirimit Shoshi është pjesëmarrës edhe në disa kampionate te tjerë dhe në Ballkaniadë të vitit 1946 ku Shqipëria për shkak të mungesës së përvojës arriti rezultate modeste. Shumë nga mjeshtrit tanë të shquar që u rritën më vonë e kujtojnë si profesorin  e tyre të këndshëm plot humor dhe shumë modest që kishte kënaqësi të veçantë të luante shah me të rinjtë e talentuar dhe të këmbente me ta përvojë .

Për vite me radhë Gaspër Shoshi  jo vetëm si lojtar shahu, por edhe si aktivist që ka dhënë ndihmesën e tij të vyer në zhvillimin dhe rritjen cilësore të sportit të shahut në vendin tonë. Gaspër Shoshi u  martua me Benardina Palin në vitin 1940 dhe vdiq në vitin 1983 në moshën 80 vjeçare duke mos lënë  as trashëgimtar.

Gasper Shoshi meriton të kujtohet  si Profesori i Filozofisë së shkollës klasike austriake si një prej latinistëve më të shquar të kohës së tij, si njohës i disa gjuhëve evropiane, si pedagog e edukator shembullor dhe si maçi i  parë në historinë e shahut shqiptar.

Prelë Milani