Trajneri i Atalantas, Gian Piero Gasperini, ka kritikuar ashpër sulmuesin Ademola Lookman pasi ai humbi një penallti në humbjen 3-1 ndaj Club Brugge në ndeshjen ‘play-off’ të Ligës së Kampionëve.
Gasperini deklaroi se Lookman ishte një nga goditësit e penalltive më të këqij që kishte parë ndonjëherë dhe shtoi se Charles De Ketelaere ose Mateo Retegui duhet të kishin marrë përgjegjësinë për ekzekutimin e penalltive.
Lookman shënoi në fillim të pjesës së dytë për të ulur rezultatin në 3-1, por penalltia e tij u prit nga portieri i Brugge, Simon Mignolet.
“Ademola Lookman është një nga gjuajtësit e penalltisë më të këqij që kam parë ndonjëherë. Lookman është e qartë se nuk duhet ta ekzekutonte penalltinë”, ka thënë fillimisht Gasperini.
“Ai ka një përqindje shumë të ulët konvertimi, edhe në stërvitje. Ai donte të ekzekutonte penalltinë sepse sapo kishte shënuar”.
“Ai e mori topin edhe pse Retegui dhe De Ketelaere ishin në dispozicion për të ekzekutuar penalltinë… Nuk më pëlqeu shumë”, përfundoi trajneri i Atalantas.
Gasperini shprehu edhe pakënaqësinë e tij për kartonin e kuq që iu dha kapitenit Rafael Toloi, i cili u përjashtua nga kartoni për sjellje jo sportive.
Pas kësaj disfate, Atalanta do të fokusohet në vazhdimin e sezonit në Serie A, ku aktualisht ndodhet në vendin e tretë, pesë pikë prapa liderit Napoli. /Telegrafi/