Nëse nga njëra anë Interi dominon në Itali, në Champions League pozicioni i tij është pas disa superfuqive europiane. Tema e analizës është vlera ekonomike e klubeve, një tregues që jo gjithmonë pasqyron rezultatet sportive në fushë, por gjithsesi ofron një “fotografi” të saktë të potencialit të ekipeve të ndryshme.
Me një vlerësim total prej 663.8 milionë euro, Interi është në krye të kësaj renditjeje për sa i përket Serie A, sipas të dhënave të siguruara nga “Transfermarkt”. Më konkretisht, në podin e lojtarëve më të vlefshëm të skuadrës zikaltër qëndron Lautaro Martinez me 95 milionë euro, i ndjekur nga Nicolò Barella dhe Alessandro Bastoni me nga 80 milionë euro.
Në Europë, megjithatë, situata ndryshon ndjeshëm dhe zikaltrit ndeshen me superfuqi shumë më të pasura, të paktën financiarisht dhe në aspektin e investimeve të mundshme.
Bayern Munich, në këtë kuadër, e kalon Interin me gati 200 milionë euro më shumë, edhe pse të martën mbrëma u mposht 2-1 në “Allianz Arena” nga zikaltrit, pikërisht në çerekfinale të Champions League.
Vlera totale e skuadrës bavareze arrin në 859 milionë euro dhe lojtari më i shtrenjtë i saj është Jamal Musiala, i cili vlen 140 milionë euro. Një detaj aspak i parëndësishëm: fantazisti gjerman nuk ishte i pranishëm në sfidën e parë çerekfinale ndaj Interit, çka e balancon jo pak këtë diferencë ekonomike. Pas tij, në renditje vijnë Harry Kane, i vlerësuar 90 milionë euro, dhe Michael Olise, me një çmim prej 80 milionë euro./telesport/