Ramen Çepele nuk do të jetë futbollisti i vetëm i përfaqësueses shqiptare në radhët e akademisë së Interit. Mbrojtësit që u thirr së fundmi nga trajneri Edi Reja në grumbullimin e kuqezinjve, do t’i bashkohet shpejt një tjetër talent premtues, 17-vjeçari Kristian Dervishi.

Sulmuesi i krahut është një element me shumë perspektivë që ka spikatur që në moshë të vogël në akademinë e Atalantës, një prej më të rëndësishmeve në Itali.

Dervishi është gurmbulluar këto vite me përfaqësuesen U17 të Shqipërisë dhe në sezonin e kaluar ka luajtur në eliminatoret e Europianit, ndërsa në miqësore ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te kuqezinjtë e vegjël.

Tashmë për lojtarin hapen dyert e një klubi si Interi, i cili sipas informacioneve përtej Adriatikut, ka akordin me Atalantën për transferimin e tij përfundimtar në Milano. Interi e kishte kërkuar edhe më parë futbollistin, por duket se vetëm tani ka gjetur marrëveshjen financiare me klubin aktual për transferimin.

Nuk dihet ende nëse lojtari shqiptar do të kalojë në radhët e skuadrës U18, që është grupmosha e tij, apo nëse do t’i bashkohet menjëherë ekipit të të rinjve. /vipsport/