Merkato e Lacios në janar mendohej se nuk do të sillte ndryshime të mëdha në skuadrën e Simone inzagit, i cili kishte ndërtuar një grup të fortë të rivalizonte me Interin dhe Juventusin. Por kurrë mos thuajse kurrë me Igli Taren, i cili gjithmonë dhuron surpriza dhe bën afrime shumë të bujshme.
Plani për të mbyllur me surpriza të këndshme janarin ka shtyrë drejtuesin shqiptar të Lacios që të braktisë hotelin e merkatos në Milano, për të udhëtuar drejt Londrës, ku po përpiqet paralelisht të bëjë dy lëvizje për të përforcuar ekipin. I pari është Olivier Zhiru, të cilin mendohet se mund t’i rrëmbejë nga duart Interit i cili e ndiqte prej kohësh francezin.
Tare ka udhëtuar drejt Anglisë për të finalizuar gjithçka sa më shpejt me Çelsin, ku do të takohet personalisht me Marina Granovskaia për ta bindur të lërë të lirë futbollistin që në janar.
Ndërkohë, vizita atje do të shoqërohet edhe me një takim te Totenhem, pasi po ndiqet me interes Viktor Uanejama. Mesfushori nuk gjen hapësira në radhët e skuadrës së Murinjos dhe klubi po përpiqet që ta largojë në janar, me Sëlltikun që duket në “pole position”, por që sigurisht që nuk ka bërë llogaritë me aftësitë e Tares, i cili e sheh kenianin si një përforcim të rëndësishëm për mesfushën e ekipit të tij. /vipsport/