Jose Mourinho është pa skuadër që prej largimit nga Roma në janar të këtij viti. Për portugezin ka disa skuadra që interesohen për të.

“Special One” po shqyrton çdo mundësi, teksa gjasat janë për një rikthim në Premier League. Skuadra e Newcastle është shumë larg pritshmërive të fillim sezonit dhe në fund të këtij edicioni priten ndryshime në stol.

Në këtë mënyrë drejtuesit e “Magpies” e shikojnë Mourinhon si të duhurin për sezonin e ri dhe për të zëvendësuar në stol Eddie Howe. Sipas “The Telegraph” bëhet me dije se trajneri portugez është i hapur për të drejtuar Newcastle.

Kujtojmë se në të kaluarën në Premier League ka drejtuar Chelsea, Tottenham dhe Manchester United, ndërsa po ashtu ka drejtuar edhe Real Madrid, Benfican, Interin, Porton, Leiria dhe së fundmi Romën.