Trajneri i Milanit Gennaro Gattuso vazhdon të jetë në pritje të vendimit të UEFA-s, siç janë të gjithë në fakt në kampin kuqezi.
Por në një intervistë për Milan TV ka folur edhe për çështjet e fushës, që si trajner, janë ato më të rëndësishmet për të. “Kaluam një sezon të vështirë, shumë të vështirë.
Gjatë gjashtë muajve që drejtoj skuadrën kemi arritur gjëra të mira, por ka pasur edhe të këqija. Megjithatë bazën e kemi”, tha trajneri kuqezi.
“Sigurisht kemi shumë punë për të bërë, duhet të përforcojmë skuadrën, të organizohemi dhe të bashkërendojmë punën me stafin”.
Merkato është tema e ditës kudo në Europë, por sidomos te Milan që pret edhe vendimin e UEFA-s për të parë nëse do të jetë në Europa League sezonin e ardhshëm apo jo.
Por Gattuso i ka idetë e qarta. “Shpresoj që André Silva dhe Kalinic të ringrihen këtë vit. Jam i sigurt që në Rusi do të mbërrijnë në formë maksimale.
Shpresojmë të bëjnë mirë atje sepse janë një aset për klubin. Të gjithë e bëjnë të kryer se do të ikin, por ne do t’i mbajmë afër”, u shpreh tekniku kuqezi.
“Merkato? Jemi bllokuar së fundmi, por me këtë merren Marco Fassone dhe Massimiliano Mirabelli. Unë organizoj me ta atë që duhet të bëjmë.
Tashmë edhe im bir e di se çfarë duhet të bëjmë, të sjellim këtu lojtarë të rëndësishëm.
Kush do të vijë duhet ta dijë që do të veshë fanellën e një klubi të lavdishëm dhe duhet të sjellë menjëherë në skuadër ndryshimin cilësor”.
Pavarësisht emrave, Gattuso i ka idetë e qarta për skemat që do të përdorë Milani nën drejtimin e tij. “Do ta nisim nga rreshtimi me katër në mbrojtje, megjithatë nuk e përjashtoj edhe rreshtimin me 3 mbrojtës dhe katër mesfushorë.
Do të punojmë mbi këto baza, por duhet që, sikurse bëmë këtë sezon, edhe vitin e ardhshëm të kiemi forcën e grupit, dëshirën dhe mentalitetin.
Një lojtar i mirë të fiton një ndeshje teke, ndërsa skuadra e mirë të çon deri në fund të turneut”./EDS/