Gazment Demi ka ndërhyrë përmes një lidhje telefonike në emisionin “Skaner”. Presidenti i Partizanit deklaroi se Ilir Daja nuk do të lëvizë nga drejtimi i të kuqve.
Ai është i bindur në aftësitë e trajnerit të tij si dhe tregoi që as rezultati i derbit s’do të ndikojë. Në fund tregoi se në mesin e muajit nëntor, do të jetë gati stadiumi për të nisur stërvitjen ekipi i kuq.
“Ore kam qëlluar dy emisione të tua që i kam ndjekur. Sula më njeh më mirë. Edhe kjo fjala tifozëri është e madhe. Kemi bërë një akord me trajnerin Daja. Unë s’jam specialist teknik. Tani bëjeni në studiot tuaja barcaleta, jo do ikë Daja, për të mos përmendur një fjalë tjetër. Jemi në fillimin e garës.
Edhe qorrat e kanë parë që i kemi humbur ndeshjet për faje individuale. Nuk ka asnjë problem mes meje dhe drejtorit. Drejtori është njeriu që merret më shumë me Partizanin. Unë kam dhe gjërat e tjera. Po i bëj dhe dhuratën tifozëve, atë stadiumin që do ta shihni se çfarë është bërë.
Daja? Ka suportin tim. Sot e uroj për ditëlindjen. Po dal te analiza para tre ditëve. Daja ka përkrahjen time brenda rregullave që ka loja, ka përkrahjen e drejtorit. Të themi ne, ka probleme apo s’ka. O vlla, futbolli është familje. Jemi në fillim të kampionatit. Nëse doni barcaleta, më merrni mua ose drejtorin. Ilir Daja është më i miri, fati s’e ka ndihmuar. Edhe mua s’më pëlqeu ndeshja me Kukësin. Daja s’ka asnjë problem.
Derbi, rezultat negativ? Kjo e Tiranës, e kam thënë edhe një herë. Sa të jem unë, nuk fiton Tirana. Kjo është ndeshje radhe. S’ka ndonjë çudi të madhe, të humbë apo të fitojë. Po nuk është çudi e madhe, s’është ndonjë qamet po nuk fitoi. Besoj se këtë herë do të na fitojë edhe fati.
30 përqind fati? Ne s’kemi pasur fare fat. Do të kishim 1 pikë më shumë nëse Junior do të bënte penalltinë me Teutën. Me Kukësin në minutën e fundit, s’u bë dot gol. Tani çfarë do të bëjmë. Me Dinamon, ju e patë s’futej goli. Fat që barazuam. Kështu që nuk ka një çarje mes klubit. Sa për tifozërinë, tifozëria e mbështet Partizanin. E di çfarë presidenti ka.
Kompleksi? Kompleksi është gati brenda nëntorit. Stadiumi ka përfunduar. Në mes të nëntorit do të nisë stërvitja. Dijeni që nuk heq njeri kollaj unë”, ka përfunduar ai./newsport/