Sonte është momenti të festojmë. Lëmë pas vitin 2012 dhe kuptohet që nga ky vit duhet kujtuar ajo çfarë është bërë mirë dhe çfarë është bërë keq. Për këtë të fundit, mjafton të marrim klubin e futbollit Vllaznia dhe kujtohesh menjëherë se vetëm në atë mënyrë nuk mund të drejtohet ai. Përpos kësaj, lëmë pas një vit pa shumë financa për basketbollin e volejbollin, dy sporte këto që me pak më shumë lekë, do të ishin ndoshta kampionë. Lëmë pas një 20012 me sportin e çiklizmit në kushte të vështira mbijetese, me sportin e mundjes me shumë probleme. Lëmë pas një vit me shumë halle edhe për infrastrukturën sportive teksa as stadiumi “Loro Boriçi” dhe as pallati i sportit “Qazim Dervishi” lënë shumë për të dëshiruar me ambjentet që ofrojnë. Megjithatë ky vit, ka patur edhe shumë të mira brenda. Atletika, boksi, xhudoja dhe gjimnastika, kanë qenë sportet- krenari të klubit Vllaznia. Janë edhe disa sportistë që cilësohen ende si krenaria e tij. Mbi të gjithë një Erkand Qerimaj që për fat të keq të tij, sot nuk është më Kampion Europe. Për shkak të të gjithë neve që nuk e ndihmuam aq sa duhet. Nuk e mbështetëm, nuk i krijuam kushtet për t’u stërvitur dhe nuk i gjetëm një staf mjekësor për ta patur pranë në mënyrë që ai sot të mos ishte i pezulluar. Megjithatë, ky pezullim i mbetet vitit 2012 dhe në vitin e ri që do hyjnë, të gjithë shpresojmë që ta shohim sërish Qerimajn në nivelet më të larta. Bashkë me të edhe sportistët e tjerë të Vllaznisë. Duke futur këtu edhe futbollin, me shpresë se gjërat kanë për t’u ndryshuar shpejt. Gazeta online www.shkodrasport.com, në këtë periudhë të ndërrimit të viteve gjen rastin të uroj gjithë sportistët shkodranë për një vit sa më të mbarë gjatë 2013-s. Po ashtu edhe trajnerët, drejtuesit, specialistët dhe gjithë njerëzit e tjerë që merren me sport. Uron gjithë sportdashësit dhe tifozët shkodranë në mënyrë që në vitin e ri ata të jenë më pranë ekipeve dhe sportistëve dhe të marrin më shumë emocione dhe kënaqësi prej tyre. Gazeta shkodrasport.com premton se do jetëmë pranë jush me çdo gjë, për t’iu ndihmuar në rritjen dhe pasqyrimin sa më realist të çdo suksesi, prandaj nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’u themi edhe njëherë në fund: G Ë Z U A R !

www.shkodrasport.com