Barcelona mundi Selta Vigon (4-3) të shtunën në një ndeshje të jashtëzakonshme, që u vendos në sekondat e fundit falë një penalltie të Rafinjës.

Vigos nuk i mjaftoi tripleta e Borha Iglesias për të siguruar as edhe një barazim, sepse Ferran Torres, Dani Olmo dhe një dopietë nga Rafinja i dhanë suksesin Barçës. Ndeshja në “Montjuiç” u shoqërua me polemika, për shkak të tonit fizik të skuadrës së Flik. Një postim në rrjetin social “X” vuri në pikëpyetje nëse kjo ishte e natyrshme.

“Fasha të çuditshme në duar. Rritje të pazakonta të ritmit dhe presingut. Lojtarë që lëndoheshin çdo javë, duke luajtur çdo tri ditë pa probleme. Performanca e papritur rritet. Pas disa vitesh, do të zbulojmë se çfarë paligjshmërie bëri Barça”, diçka që Kiko Matamoros shfrytëzoi për të sulmuar katalanasit.

I njohur si një nga figurat publike në televizion, Matamoros sulmon klubin blaugrana dhe agjencinë antidoping në Spanjë.

“Ka një kohë që e them këtë. Antidopingu në Spanjë është për të qeshur”, ka shkruar personazhi televiziv, i cili gjithashtu ka postuar disa herë në “X” kundër katalanasve.

“Barcelona nuk është asgjë tjetër më shumë se një bandë e organizuar”, shkroi sërish ai në profilin e tij në rrjetin social “X”.