Kompania zviceriane “Gea Sport” mesditën e së martës, ditë kjo që ka qenë e fundit e përcaktuar nga Bashkia Shkodër për bizneset e interesuara për të investuar tek Vllaznia, ka dorëzuar projektin përfundimtar të asaj se çfarë mendonte të bënte me këtë klub. Projekti i saj ka qenë i vetmi i dorëzuar sepse ish- presidenti Valter Fushaj nuk ka dorëzuar asgjë duke u justifikuar me idenë se është i paqartë nga ana ligjore se si mund të jetë bashkëpunimi me Bashkinë.
Ndërkohë, burime pranë institucionit të pushtetit lokal bëjnë të ditur se juristët e tij kanë studiuar projektin e paraqitur nga zvicerianët, janë dakord në shumë pika me këtë projekt por gjërat nuk shkojnë vetëm në mënyrën e funksionimit të klubit në të ardhmen. Siç dihet, Bashkia e ka vënë kusht që klubi do të vazhdojë të funksionojë si shoqëri aksionere por “Gea Sport” mesa duket nuk ka qenë e qartë për mënyrën si do të funksionojë klubi në të ardhmen, për të qenë brenda të gjitha ligjeve të shtetit shqiptar. Mes palëve thuhet të ketë patur kontakte sot dhe pala zviceriane nuk ka qenë shumë dakord me atë çfarë ka kërkuar Bashkia Shkodër në këtë bashkëpunim. Si rrjedhojë, ende nuk dihet se çfarë do ndodhë dhe mbase ekziston mundësia që mes palëve të mos ketë bashkëpunim. Në kushte të tilla, duke mos patur asnjë alternativë tjetër, Vllaznia do t’i mbetet sërish Bashkisë por kjo mbetet për t’u parë deri në fundin e muajit qershor kur do jepet një vendim përfundimtar për këtë çështje.
© shkodrasport.com