Situata tek Vllaznia ende nuk po merr zgjidhje ndonëse mbyllet java e parë e qershorit. Bashkia Shkodër nuk e ka të qartë se me cilin biznesmen do të bashkëpunojë. Kompania zviceriane që në fillim ishte më e favorizuar për të marrë drejtimin e klubit, duket se po bën lojë fjalësh. Në fillim deklaroi se do ngrinte në bankë 350 mijë euro, më pas krijoi disa polemika me drejtuesit aktualë të klubit dhe paraditen e së shtunës, presidenti I kësaj kompanie Roberto Nava, përmes rrjetit social facebook do të bënte të ditur tërheqjen nga gara për të marrë Vllazninë.

Por çuditërisht ky postim I tij, do hiqej të dielën dhe në median e shkruar botohet draft- marëveshja që Gea Sport I ka dërguar Bashkisë Shkodër. Edhe aty ka shumë paqartësi për mënyrën e bashkëpunimit dhe të pagesës financiare. Kjo ka bërë që situata rreth kësaj kompanie të jetë vërtetë e paqartë. Nga ana tjetër, ish- presidenti Valter Fushaj vazhdon negociatat me drejtuesit e klubit. Ai I ka bërë të qarta kërkesat e tij, për të marrë klubin pa borxhe dhe shumat e investimit për skuadrën në mes palëve të jenë të qarta. Në një pozitë të tillë, kryebashkiaku Luka dhe stafi I tij duken ende të pavendosur. Ato nuk kanë ende në tavolinë diçka gati për t’ia kaluar Këshillit Bashkiak për miratim. Mbase java e ardhshme do t’I sqarojë gjërat se çfarë do ndodhë. Bashkia e ka bërë të qartë se nuk mundet ta mbajë më e vetme klubin e futbollit Vllaznia dhe prandaj po kërkon ndonjë biznesmen që në fakt ende nuk e ka gjetur të duhurin. Por kjo situatë nuk duhet të vonojë shumë sepse ditët kalojnë dhe duhet nisur menjëherë puna për ndërtimin e ekipit për sezonin e ri.
© shkodrasport.com