Trajneri i Kukësit Skënder Gega foli për herë të parë rreth largimeve të disa prej futbollistëve titullarë të Kukësit në 2 javët e fundit. Për mediat, tekniku i nënkampionëve të Shqipërisë foli dhe rreth largimit të anësorit të majtë Emiljano Musta. Ai zbuloi se e largoi lojtarin nga fusha në miqësoren e fundit me Vllazninë për sjellje të gabuar disiplinore, ndërsa klubi më pak ka pranuar t’i japë dokumentat për t’u larguar.
Në lidhje me përgatitjen e skuadrës pas largimeve të Gavazajt, Rrocës, Telushit, Obanorit, etj, Gega shtoi se ka në dispozicion lojtarë të rinj dhe se fusha do të tregojë çdo ditë rezultatet e ekipit.
Për sa i përket bojkotit, tekniku i verilindorëve tregoi se moszhvillimi i kampionatit nuk i shërben askujt dhe beson të gjendet zgjidhje për bojkotin.
“Largimet e fundit te Kukësi – Ethemi dhe Musolli kanë ikur pa përfunduar marrëveshjen me klubin. Rroca u largua me mirëkuptim dhe u hap rruga për një sfidë të re, po ashtu dhe Telushi. Gavazaj ka qenë, kam biseduar me të. Kanë ardhur lojtarë të rinj, kështu që automatikisht ai nuk ishte, me gjithë respektin për karrierën e tij.
Për sa i përket Mustës që ishte lojtari i fundit, ka qenë lojtar i joni, ka marrë pjesë në Kupat e Europës. Në ndeshjen e fundit miqësore e kam larguar nga fusha për anë disiplinore, por prapë klubi u tregua zemërgjerë, nuk ka marrë masë disiplinore. I ka dhënë dokumentat dhe i ka uruar rrugë të mbarë. Kjo është e gjitha.
Ndërtimi i skuadrës – Patjetër që është vështirësuar. Ne kemi marrë lojtarë që kemi besim. Bashkë me drejtorin Nexhipi kemi punuar. Me aprovimin tim teknikisht, por dhe me mirëkuptimin dhe gjuhën e përbashkët të klubit janë afruar disa lojtarë. Fusha do ta tregojë, çdo ditë. Do t’i shikojmë gjërat një e nga një dhe pastaj do bëjmë hesapet.
Bojkoti – Unë besoj se futbolli shqiptar, sporti në tërësi, 4 pikat nuk janë të mjaftueshme. Futbolli duhet të jetë në fushë. Kemi kaq kohë që stërvitemi. Shpresoj të ulen dhe gjërat të zgjidhen. Nëse kampionati fillon është mirë për të gjithë, sepse koronavirusi ka bërë shumë dëme ekonomikë si çdo vend të globit. Nëse nuk luhet futboll, nuk i shërben askujt”, deklaroi trajneri i Kukësit Skënder Gega.