Deri dy ditë më parë ka qenë pjesë e ekipit olimpik që do marrë pjesë në “Londra 2012”. Në mënyrë krejt të papritur, kryetrajneri I peshëngritjes Genc Barkiçi e sheh veten jashtë këtij ekipi. Ndonjë përplasje me sportistët që kërkonin trajnerët e tyre në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm, është shfrytëzuar nga krerët e KOKSH-it për ta larguar trajnerin shkodran. Ai e konsideron personale një largim të tillë ndonëse sipas tij, nuk ka asnjë motivacion për ta bërë këtë gjë.

Pikërisht në lidhje me këtë spostim, Barkiçi ka lëshuar jo pak akuza ndaj drejtuesve aktualë të olimpizmit shqiptar. Të gjitha këto I ka bërë në një intervistë të tij ekskluzive për gazetën online www.shkodrasport.com kur ka thënë”
-Barkiçi, si e pritët lajmin për largimin nga rradhët e ekipit olimpik shqiptar?
-Të them të drejtën nuk më erdhi absolutisht I papritur ky lajm. Largimi im nga lista e ekipit olimpik nuk është hera e parë që më ndodh. Më ka ndodhur kështu në vitin 1996 kur kam qenë sportist dhe po ashtu edhe në vitin 2004 si trajner. Më ndodhi edhe tani që të largohem pa asnjë shkak nga ekipi olimpik shqiptar dhe kjo ishte e treta e vërteta. Në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, ndoshta dikujt I prish punë emri im.
-Pse mendoni kështu?
-Sepse nuk ka si të mendoj ndryshe kur lista e trajnerëve ndryshohet nga KOKSH-i. problemet e shumta që ka patur ky institucion me Federatën e peshëngritjes, gjetën vend për përplasje tek emri im. Unë në fakt nuk ndihem aspak I ofenduar nga KOKSH-I përderisa kam besimin e Federatës së Peshëngritjes, të presidentit Ademi, të sekretarit Kraja dhe të kryesisë së nderuar të cilët më caktuan si kryetrajnerin e kombëtares shqiptare të peshëngritjes. Dhe në vend që unë të isha në Londër me kombëtaren e peshëngritjes ngaqë I kam përmbushur të gjitha objektivat që Federata më kishte vënë, krejt në mënyrë absurde gjendem jashtë ekipit olimpik.
-Jua kanë dhënë arsyen pse nuk do jeni në Londër?
-Kjo është më e bukura. Më përpara më kanë thirrur dy herë në Komitetin Olimpik për përgatitjet ndërsa tani që më kanë hequr nga lista, askush nuk më ka lajmëruar për këtë gjë dhe unë e marr vesh përmes gazetave. Nëse hiqesh nga një listë sigurisht që ka një motivacion, ose për punë të dobët, ose për ndonjë arsye tjetër. Për punë të dobët, askush nuk mund të më thotë kurrsesi një gjë të tillë. Kam drejtuar ekipin kombëtar të peshëngritjes dhe po marr si shembulll vetëm  katër garat e fundit. Nga Rumania në kampionatin Europian erdhëm me një çantë me medalje, nga Malajzia për herë të parë në Shqipëri sollën një titull Kampioni Bote, në Francë duke iu bashkangjitur edhe Kampionatit Botëror siguruam katër vende për në Olimpiadë dhe po ashtu edhe vendin e tretë në botë për Romela Begajn. Për ta mbyllur me Kampionatin Europian ku me Begajn siguruam pjesmarrjen e një femre me grumbullim pikësh për në Olimpiadë. Në këto aktivitete kam qenë thuajse I vetëm dhe sukseset kanë qenë të shumta. Prandaj për arsye të punës së dobët nuk kanë arsye pse të më heqin nga lista e ekipit olimpik. Megjithatë duket se në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, dikujt I prish punë qënia ime nga Veriu.
-Megjithatë pretendimi duket se ka qenë kërkesa e sportistëve për të marrë trajnerët e tyre personalë në Londër apo jo?
-Ky mund të jetë justifikimi. Kam kontaktuar përmes telefonit me përjashtim të Pulakut që ndodhet në Amerikë, me Godellin, Caljen, Karinën dhe Begajn dhe absolutisht që të gjithë e kundërshtojnë kërkesën e tyre për të më larguar mua nga detyra e trajnerit të kombëtares. Ata thjesht kanë dashur të kenë shtesë edhe trajnerët e tyre dhe kjo ishte një shtesë e domosdoshme por kurrsesi të hiqej emri im nga kjo listë. KOKSH-I me një shkresë të para një muaji, I ka kërkuar FSHP-së listën me dy trajnerat që do shoqëronin peshëngritësit në Londër. Vendimi I kryesisë ka qenë për mua si trajner I meshkujve dhe Gazmend Hakcanin për femrat. I menjëhershëm ka qenë reagimi I z. Bezhani, nën mbështetjen edhe të z. Bello për ta hequr emrin tim nga ajo listë. Që nga ajo ditë, ata kanë bërë çmos që unë të mos jem në Londër dhe më në fund ia arritën qëllimit.
-Duket se e keni kapur keq me krerët e KOKSH-it?
-Jo ata e kanë kapur me mua. Unë nuk kam asgjë më kërkënd. Jam Mjeshtër sporti I Europës dhe po ashtu I Shqipërisë, kam medalje të panumërta si trajner dhe si sportist, gjë që I shoh rrallë tek një njeri tjetër sot në sportin shqiptar dhe sërish këto nuk mjaftojnë. Unë nuk I kam sjellë asnjë të keqe sportit shqiptar përkundrazi, gjithmonë jam munduar me mish e me shpirt të bëj më të mirën për të. Por drejtuesit e KOKSH-it duket se nuk I duan njerëzit e peshëngritjes pavarësisht se me sukseset e këtij sporti është krenuar I gjithë vendi. Nuk do ishte çudi që në shenjë respekti për këto suksese, në rradhët e kombëtares sonë olimpike të ishte edhe presidenti Ademi apo një drejtues tjetër I Federatës. Kjo jo vetëm që nuk ndodh, por më largojnë edhe mua nga ekipi. Unë e shoh si rrezik ndërhyrjen e KOKSH-it në kompetencat e Federatave. Me atë çfarë po ndodh, unë e shoh Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar aktual, si një rrezik të madh për sportin shqiptar.
Gjergj KOLA