Gent Lisha: I shokuar me ftesën në Kombëtaren shqiptare
Më datat 24, 25 dhe 26 maj luhen ndeshjet eliminatore te Kampionatit Botëror në volejboll për meshkuj e femra. Kombëtarja e meshkujve do t’i luajë takimet e saj në Shkup të Maqedonisë, ku rivale janë edhe Ukraina e Mali i Zi. Risi e këtyre eliminatoreve do të jetë i riu Gert Lisha, me pozicionin e pasuesit të grumbulluar nga trajneri Ylli Tomori. Volejbollisti i “Naperville North” në Ilinois, prej fillimit të muajit ka qenë nën urdhrat e eprorit kuqezi si pjesë e kombëtares së rrjetës, premierë për të. Grumbullimi i tij me Kombëtaren shqiptare ka bërë jehonë jo pak edhe në mediat amerikane, ku ai jeton me familjen. Lisha e ka cilësuar një nder ftesën që i është bërë për të qenë anëtar i përfaqësueses, duke pasur parasysh edhe moshën e tij, vetëm 17 vjeç. “Jam shumë i emocionuar. Me të vërtetë është një nder i jashtëzakonshëm që po më bëhet”, – ka deklaruar Lisha. “U shokova kur mora vesh që do të grumbullohesha me Kombëtaren. Do të kem mundësinë të luaj me dhe kundër më të rriturve në moshë, të cilët janë njëkohësisht edhe më të fortë fizikisht, por do të më shërbejë më shumë të kuptuarit e lojës në një nivel më të lartë. Unë do të jemi lojtari më i ri në ekip në këto katër vite. Kjo është një mundësi shumë e mirë për mua, sepse shpresoj të luaj në volejbollin profesionist një ditë dhe, falë përvojës ndërkombëtare, do të kem favorin të promovohem në mesin e trajnerëve europianë”. Ndërkaq, femrat do t’i luajnë takimet në Lutsk të Ukrainës, ku rivale janë Hungaria e Moldavia.