Gentian Muça është rikthyer më i fortë se kurrë. Mbrojtësi bardheblu dhe zëvendëskapiteni i skuadrës prej ndeshjes me Kukësin është një nga më të mirët për Tiranën. I rikthyer titullar pas më shumë se dy vitesh e gjysmë, në një intervistë ekskluzivë për “Panorama Sport”, Genti rrëfehet për jetën e tij këto tri vitet e fundit. Nga fundi dhe lufta për jetën, deri te fusha e lojës, guximi për të vendosur që të rikthehej në fushë, duke qenë shembull për të gjithë. Nga fëmijët e deri tek ata që jetojnë me ëndrra dhe shpresë që me besimin në Zot dhe këmbëngulje, mund t’ia dalësh kurdoherë.
Gentian Muça, riktheheni titullar pas gati tri vitesh. Takimin e fundit në Superiore e keni në marsin e 2017- ës me Korabin, por që me ndeshjen e parë në fushë jeni kthyer si lider, duke qenë shembull për të gjithë…
Është e vërtetë. Më 7 mars bëhen tri vite nga dëmtimi. Ka qenë sfida në Shkodër. Do ta them gjithë jetën dhe e përsëris shumë shpesh. Falënderimi është për Zotin. Edhe vetë nuk e kisha çuar në mend diçka të tillë. Aq më tepër që dëmtimi ndodhi edhe në një moment delikat për skuadrën. Shpresoj që gjërat e pakëndshme t’i kemi lënë pas dhe më e mira të jetë duke ardhur.
Duket diçka e thjeshtë, por si kanë qenë këto tre vite për Gentin?
Plot shpresë kanë qenë, plot edhe me vështirësi, por duke menduar gjithmonë për më të mirën, duke i thënë vetes që kjo gjendje është e përkohshme dhe që momenti keq të kalojë. Njëlloj ashtu siç thotë Zoti: Pas momentit të vështirësisë do të vijë lehtësimi.
E menduat ndonjëherë ta linit sportin dhe të thoshit: “Boll…”?
Të them të vërtetën, ka qenë disi e komplikuar situata, sepse në fillim gjërat nuk ishin aq të rënda. Pas operacionit të parë e kisha në mendime sportin, por kur e pashë që gjërat u ndërlikuan thashë: “Stop”. U pozicionova te jeta ime. Ishte ajo primare.
Fituat një luftë të madhe jashtë fushe dhe jeni shembull për të gjithë dhe për të rinjtë në veçanti, duke treguar se asnjëherë njeriu nuk duhet të dorëzohet?
Ju falënderoj për fjalën. Pasi u bëra mirë, në vetvete e kisha qëllim kthimin në sport. E kisha motiv që kur të më lejonte shëndeti të kthehesha, por jo sa për të kaluar radhën. Kur mora sinjalet e para pozitive nga mjekët dhe vetvetja, e ndava mendjen që do të rikthehesha më mirë se çfarë kisha qenë në të shkuarën. Ky ishte edhe motivi im gatë këtyre muajve. Ajo që kalova është një proces i gjatë dhe fizikisht do të rritem shumë.
Fituat me Teutën në një ndeshje me përmbysje…
Kemi fituar një takim me një kundërshtar shumë të vështirë. Është një skuadër që mbrohet shumë mirë në prapavijë. Skuadra që kishte pësuar më pak gola dhe sa herë që shënonte nuk ia ktheje dot rezultatin. Në këtë ndeshje kemi kthyer disa tabu. Karakteri që ka treguar skuadra duke përmbysur ndeshjen që në pjesën e parë të jep kurajë e motiv që kjo skuadër nuk është ngopur, është me këmbë në tokë. Por festa mbaron menjëherë pas ndeshjes. E dinim që do të kishim rastet tona, por e zgjidhëm mirë nga ana taktike ndeshjen. Në pjesën e dytë nuk dolëm në aventurë. Mund të kishim shënuar më shumë, por më mirë të krijomë shumë raste dhe të shënojmë, sesa të krijojmë një rast dhe të na mërzitet futbolli.
Tani luani me Vllazninë në Shkodër…
Është një ndeshje delikate dhe do të jetë e luftuar. Besoj se stadiumi dhe populli i Shkodrës të lë të luash futboll cilësor. Shpresoj që kualitetet tona të bëjnë diferencën.
Titulli, një fjalë që nuk duhet të përmendet?
Nuk duhet të kemi fobi apo të jemi supersticiozë në këto gjëra. Unë nuk u besoj. Fjala titull për ne është të fitojmë ndeshje pas ndeshjeje. Sigurisht nëse fitojmë ndeshjen e radhës, jemi për titull.