Geralb Smajli, mbrojtësi i djathtë i ekipit kuqeblu, është shprehur tejet i kënaqur me fitoren e arritur ndaj Dinamos.
Ai, në një intervistë për “Panorama Sport”, e ka quajtur si një trepikësh shumë deçiziv, që i ka dhënë një frymëmarrje dhe optimizëm më shumë skuadrës për të arritur katërshen e parë.
Futbollisti ka besim se ekipi do të arrijë një fitore në përballjen e së shtunës. Ndërkohë, shprehet ende i matur për të thënë nëse Vllaznia, pas asaj fitoreje me Dinamon dhe shkëputjes së krijuar me vendin e 4-rt dhe të 5-të, është pa diskutim në katërshen e parë.
Një fitore me shumë vlera ajo kundër Dinamos, apo jo?
Po, është shumë e vërtetë që është një fitore me shumë vlera, por ekipi ishte vlerësuar këtë sfidë dhe prandaj rezultati foli për ne. Ja bëmë “hyzmetin” deri në fund që të arrinim këtë trepikësh.
Të shtunën kundër Tiranës, do të kërkohet fitorja e radhës, apo edhe një pikë mund të jetë pozitive në këto momente?
Ne çdo ndeshje e përgatisim që të japim maksimumin. Në futboll janë të tri rezultate në lojë. Ne në këtë ndeshje do të futemi si gjitha ndeshjet e tjera, vetëm për tre pikë. Loja do të tregojë nëse do ta meritojmë një gjë të tillë.
Si e shihni këtë përballje?
Është një përballje direkte me një ekip që kërkon të arrijë “Final 4”, dhe e shikoj të vështirë. Mendoj se nuk ka shumë vend edhe për mbivlerësim të kundërshtarit. Po ashtu dhe ne jemi të fokusuar dhe do të japim 100% tonë për të arritur rezultat pozitiv.