Nga Maringlen ZHIVANI
Ballkani vijon me ecurinë pozitive në kampionatin kosovar. Gjatë këtyre javëve, një nga protagonistët absolutë për kampionët e Kosovës ka qenë edhe Geralb Smajli. Tashmë, mbrojtësi shkodran është shndërruar në një titullar fiks të ekipit. 22-vjeçari ishte i ftuar në emisionin “Star Sport” në Star Plus TV, ku foli për ambientin e ri që ka gjetur në Kosovë. Në fjalët e tij, Smajli tha se shpreson që një ditë të jetë përsëri pjesë e Vllaznisë.
“Jam shumë i kënaqur për aventurën time të re tek Ballkani, sepse që në momentin kur kam ikur atje, më kanë pritur shumë mirë. Kanë bërë çmos që unë të jem pjesë e tyre. Ekipi po shkon mirë, jemi në vendin e parë dhe shpresoj që çdo gjë të shkojë mirë deri në fund fare. Rivaliteti ka qenë i madh në këto javë. Janë katër-pesë ekipe që janë aty-aty me pikë dhe shpresoj që deri në fund të ecim mirë.
Ballkani ka disa kohë që më ka patur në planet e saj, si ish-trajneri Daja, drejtori Bunjaku dhe presidenti Kabashi, kanë bërë çmos që unë të jem aty. Me ndërrimin e trajnerit dhe me ardhjen e Pollozhanit, na ka ndikuar shumë për mirë. Pollozhani është shumë i komunikueshëm dhe çdo gjë për momentin është në rregull.
Mund të them që kampionati shqiptar me atë kosovar janë aty-aty. Në Shqipëri nuk diskutohet që infrastruktura është më e mirë. Megjithatë, ekipet kosovare si Ballkani dhe Drita kanë shkuar deri në turin e tretë të Conference League dhe mendoj që kjo është një gjë shumë e mirë. Unë mendoj se ekipet shqiptare nuk po e bëjnë këtë dhe për momentin, janë më lart ekipet kosovare. Shpresoj që, këtë vit të jetë Vllaznia ajo që ta bëjnë këtë gjë.
Në Kosovë, futbollistët nuk shihen si jabanxhinj. Atje janë të gjithë njësoj dhe të rrespektojnë të gjithë. Megjithatë, në Suharekë nuk ka shumë tifozë dhe presioni është pak më i ulët dhe mund të luash pak më qetë. Normal që, presioni nuk mungon nga drejtuesit e Ballkanit, sepse ato duan të jenë vetëm në maje. Kanë tre-katër vite që janë vetëm në krye të tabelës dhe duan të vijojnë sërish me këtë ecuri pozitive. Te Vllaznia është disi më ndryshe. Është dëshira e tifozëve që ta shohin ekipin lart. Kur u largova nga Shkodra, normalisht që ishte shumë e vështirë, sidomos fillimi i një jetë të re në Kosovë, por shpresoj që një ditë të jem përsëri pjesë e Vllaznisë. Çdokush ka qejf të luajë në Shkodër.
Te Ballkani synojmë titullin kampion. Ballkani e ka arritur pothuajse çdo vit sezonet e fundit dhe besoj që, edhe këtë vit ta arrijmë sërish. Unë kam bërë një hap tek Ballkani, sepse nga aty shpresoj që të kaloj në një kampionat më të fortë, por pse jo të mos kap edhe Kombëtaren. Gjithçka është e arritshme. Kam ikur te Ballkani për një trampolinë për të shkuar në një kampionat më të fortë.
Rruga ime sapo ka vazhduar dhe futbollit nuk i dihet asnjëherë. Unë kam patur oferta nga shumë ekipe, madje edhe në kampionatin shqiptar kisha disa bisedime, por nuk kisha qejf të luaja kundër Vllaznisë, sepse ato ishin rivalet kryesore të saj. Për ta thënë troç, nuk ma bënte zemra të luaja kundër Vllaznisë”,-tha mbrojtësi shkodran i Ballkanit, Geralb Smajli, i ftuar në “Star Sport”.