Ish-ylli i Barcelonës, Gerard Pique, ka komentuar kartonin e kuq të Jude Bellingham pas golit që nuk iu pranua Real Madridit ndaj Valencias të shtunën.
Vinicius Jr shënoi dy gola teksa Real Madridi përmbysi disavantazhin e dy golave për të shkëputur një pikë në Mestalla dhe për të krijuar një epërsi prej shtatë pikësh në tabelë ndaj vendit të dytë.
Bellingham mendoi se ia kishte fituar ndeshjen ekipit të tij, kur në minutën e gjashtë shtesë të takimit, ai shënoi me kokë nga afërsia, vetëm për gjyqtarin Gil Manzano i cili i fryu bilbilit për ta përfunduar ndeshjen kur krosimi u dha brenda zonës.
Lojtarët dhe stafi i Real Madridit të frustruar me vendimin e gjyqtarit protestuan ashpër ndaj tij, ku për pasojë anglezi mori karton të kuq.Ky incident ka qenë temë diskutimi në Spanjë, ndërsa Pique tashmë ka shprehur frustrimin e tij ndaj Manzanos në një intervistë për Marca.
“Ne të gjithë e dimë nivelin që ka ky gjyqtar. Ai më ka përjashtuar mua ndaj Osasunës dhe unë nuk kam thënë asgjë, por përkundër kësaj, që në fund nuk ka rëndësi për mua, ai ka një histori që unë nuk e kuptoj, sepse ai është një gjyqtar ndërkombëtar, andaj ai duhet të jetë në nivelin më të lartë”, ka thënë Pique fillimisht.
“Kjo nuk ishte hera e parë që ai e ka bërë këtë. E kuptoj që Madridi mund të ankohet, ai duhej t’i frynte bilbilit shumë më herët, vendimi i tij ishte i padrejtë, ishte shumë vonë kur i dha fund ndeshjes. T’i frysh bilbilit në momentin kur krosoni, nuk ka kuptim”, përfundoi ish-mbrojtësi spanjoll./Telegrafi/