Ish-futbollisti i Barcelonës, Gerard Piqué, u paraqit sot në Gjykatën e Majadahonda-s (Madrid) për t’u marrë në pyetje si i pandehur nga gjyqtarja hetuese në lidhje me disa kontrata të Federatës Spanjolle të Futbollit (Rfef), përfshirë marrëveshjet për transferimin e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite. Në këtë çështje janë të përfshirë edhe ish-presidentët e Rfef, Luis Rubiales dhe Pedro Rocha.

Piqué nuk bëri deklarata kur mbërriti në gjykatë. Një ditë më parë, ai dorëzoi 15 fatura, secila prej 800,000 euro, për një total prej 12 milionë euro, të lëshuara nga kompania e tij Kosmos midis viteve 2022 dhe 2025. Këto fatura lidhen me shërbime të “ndërmjetësimit dhe konsulencës” për organizimin e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite, gjatë kohës kur Rubiales ishte president i Federatës, sipas burimeve gjyqësore të cituara nga mediet spanjolle.

Gjyqtarja hetuese dyshon për “shkelje të mundshme ligjore” në kontratat e firmosura më 11 shtator 2019 midis Rfef dhe kompanisë saudite Sela Sport Company, e cila u angazhua të paguante 40 milionë euro në vit për 6 vite në favor të Federatës Spanjolle.

Kontratë kjo që më pas u zgjat për 4 vite të tjera, duke arritur një total prej 400 milionë euro. Përveç kësaj, Gerard Piqué, si përfaqësues i Kosmos, përfitoi 40 milionë euro, pasi ishte i përcaktuar në kontrata si “pale e tretë”.