Andrea Gërço është lojtari i momentit në kampin korçar. Pas afrimit në fillim të sezonit nga Seria C e Italisë, ka pritur gjatë dhe në heshtje momentin e tij, derisa ka fituar vendin e titullarit falë paraqitjeve goxha të mira në ndeshjet ku Ivan Gvozdenoviç ka kërkuar shërbimet e futbollistit.

Është përdorur në shumë pozicione nga stafi bardhekuq, qoftë në të djathtë të mbrojtjes ku është pozicioni i tij natyral, ashtu edhe në të majtë, por edhe në qendër. Teksa ndeshjet e fundit ka krijuar një stabilitet në lojën e tij.

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Gërço ka folur për ecurinë e Skënderbeut në këtë kampionat dhe eshte ndalur edhe tek ndeshja e se henes ndaj Vllaznise.

“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Vllaznia ka një ekip cilësor dhe po kalon një formë të mirë në këtë moment. Nga ana tjetër, ne jemi të përqendruar vetëm tek objektivat tanë dhe do të hyjmë në këtë ndeshje për të dhënë maksimumin. Kam besimin se me gjendjen që ka ekipi mund të marrim një rezultat të mirë nga kjo ndeshje. Por gjithçka e vendos fusha”- eshte shprehur ai.