Për 12 vjet me rradhë ka drejtuar klubin shumësportësh Vllaznia. Gëzim Mema, ish-shefi i tij ndjehet krenar për sukseset që ka patur. Flet me shumë respekt edhe për pasardhësin e tij- Mark Kroqin dhe ka bindjen e plotë se do ta çojë edhe më përpara atë. Megjithatë, duke folur në një intervistë ekskluzive për gazetën online shkodrasport.com, Mema ka folur edhe për momentet e lumtura të punës së tij por edhe ato më të vështirat. Ja intervista e plotë e tij:

 

-Profesor, tashmë në pension. Po i shijoni këto ditë të para të pushimit?
Kisha dy vjet që e kisha mbush moshën e pensionit dhe erdhi momenti që do largohesha. Nuk kam asnjë pishman për këtë largim sepse isha përgatitur për një gjë të tillë
-Jeni krenar për atë çfarë i keni dhënë sportit gjatë gjithë këtyere viteve?
-Shumë krenar jam. Ndoshta mund të jepej edhe më tepër sepse flasim për Shkodrën, flasim për klubin Vllaznia. Çdo aktivitet që zhvillon ky i fundit, nuk bëhet fjalë thjesht për pjesmarrje por për ta fituar atë dhe në këtë drejtim Sportklub Vllaznia ka arritje shumë të mëdha edhe më përpara por në këto 20 vitet e fundit, është ndër klubet pararojë në vendin tonë në shkallë Republike. Merr pjesë në të gjitha aktivitetet sportive, ka të ngritur të gjithë strukturën e ekipeve duke filluar nga ato zinxhirë deri tek të rriturit, ka të plotësuar të gjithë sistemin e trajnerëve me njerëz të kualifikuar dhe me reputacion megjithatë ka vend për përmirësime e suksese të tjera që jam shumë i bindur do të çohen më tej nga drejtuesit e rinj.
-Pikërisht, ka ardhur Mark Kroqi në vendin tuaj. Mendoni se e keni lënë në dorë të sigurta klubin shumësportësh Vllaznia?
-Jam gëzuar shumë për përzgjedhjen e tij në këtë detyrë dhe këtë ia kam thënë edhe në ceremoninë e prezantimit. Kam pasë shumë frikë se nuk do caktohej kush
në postin e shefit të klubit megjithatë nuk e di se çfarë lëvizje ndodhi në Bashki dhe drejtuesve të saj u ndërroi mendja. Kur kam marrë vesht se Mark Kroqi ishte kandidaturë, jam gëzuar shumë sepse kemi të bëjmë me një figurë të lartë sportive. Me një personalitet, me një njeri me integritet, të etur për fitore, të etur për sukses duke pasë parasysh edhe karrierën e tij sportive. Prandaj e them me bindje të plotë se dora e Markut do ndihet në Sportklub Vllaznia.
-Pra zgjedhja e Kroqit sipas jush është e duhura për postin e drejtorit të klubit shumësportësh Vllaznia?
-Natyrisht që po por para se të flas sërish për këtë gjë, dua të ndalem tek diçka tjetër. Për këtë post ka emërtime të ndryshme. Sa për dijeni unë kam qenë i emëruar drejtor por nuk kam marrë asnjëherë pagesën e drejtorit madje kam dalë në pension si përgjegjës i klubit. E kam marrë këtë detyrë 12 vjet më parë si sheh klubi, pastaj sekretar klubi, drejtor dhe për ta mbyllur si përgjegjës, paksa e çuditshme. Shpresoj që Kroqi t’i dalë për Zot këtij posti dhe të quhet drejtor sepse ka edhe një pagesë të tillë sepse ky emërtim është me vendim të Këshillit Bashkiak.
-Keni lënë një zyrë të mbushur me kupa. Pra ka patur suksese?
-Sigurisht që ka patur shumë suksese, madje ne jemi ballfaquar me shumë sukses me kluve si Tirana sepse me ato të rretheve si Korçë, Vlorë etj, nuk jemi diskutuar fare sepse kemi qenë shumë më lart se ato. Merri 13 sportet që ka klubi Vllaznia, shikoji si funksionojnë, si zhvillohen aktivitetet. Janë për t’u marrë shembull, pavarësisht vështirësive financiare që kanë.Në shumë vite jemi cilësuar Sportklubi më i mirë në Shqipëri dhe shpresoj që të vazhdoj kështu dhe të mos merren me përrallat e shoqatave.
-Pikërisht për këtë, thuhet se në korrik do jetë e detyrueshme kalimi i të gjithë ekipeve sportive në shoqata. Si e shikoni këtë lloj funksionimi të tyre?
-Kam qenë i pari drejtues që jam marrë me këtë çështje disa vjet më parë duke i krijuar shoqatat për çdo lloj sporti por duhet të jenë shoqata me lekë dhe jo formalisht. Bashkia Shkodër duhet ta kuptojë se sportin nuk duhet ta mbajë për lëmoshë pasi është edhe detyrim kushtetues por nga ana tjetër, e kërkon qyteti, e kërkojnë njerëzit sepse Shkodra me sport e kulturë është shquar më shumë se për çdo gjë tjetër. Sport e kulturë ka pasë ky qytet edhe në vitin e tmerrshëm 1997 kur të gjithë mbylleshin nëpër shtëpi. Sporti asnjë ditë nuk është ndalë, kultura asnjë ditë nuk është ndalë. E përderisa është ruajtur sporti në ato ditë të vështira, sot nuk duhet të mendojmë për ta shkrirë por për ta çuar më përpara.
-Cili ka qenë momenti më i lumtur për ju gjatë punës si shef i këtij klubi?
-Momenti më i lumtur për mua ka qenë kur kam plotësuar 13 sporte në klubin Vllaznia. E kam marrë atë në vitin 2001 me 6 sporte, pa volejboll, mundje, hendboll, xhudo, basketboll femra etj. Por kam punuar me pasion edhe ngaqë klubi ka qenë fuqiplotë në vendimmarrje. Ai i ka marrë të gjitha vendimet vetë por gjërat ndryshuan me kalimin e viteve dhe unë s’mund të merrja në punë as një punëtor fushe. Mu hoqën 5 specialistët më të mirë që ka patur klubi dhe mu zëvendësuan me 5 persona të tjerë pa dijeni time por me atë mënyrën që dinin njerëzit e Bashkisë. Por bashkë me stafin tim të mrekullueshëm ia arritëm të mbajmë 13 sporte, si asnjë klub tjetër në Shqipëri. Themi 13 sporte por janë 42 ekipe që funksionojnë, me nga 10-15 sportistë minimumi, i thonë 600 sportistë në total. Me këtë masivitet kaq të madh, disa zotërinj atje në Bashki deshtën me ba shoqatat pa patur një kokë drejtuese të klubit. Ky do ishte një tmerr i vërtetë nëse do ndodhte por shyqyr zotit dikush ua ndryshoi mendjen dhe u gjet Mark Kroqi për t’u emëruar atje dhe i uroj suksese.
-Po momenti më i vështirë në punën tuaj 12 vjeçare në krye të klubit?
-Më i vështiri ka qenë momenti kur drejtuesit e Bashkisë urdhëruan largimin e klubit Vllaznia nga godina e saj tradicionale dhe historike. E kam akoma “vrimë në zemër” atë vend. Për kuriozitet, shumëkush në Shkodër kur pyeste ku është Bashkia, përgjigja që merrnin ishte: “Tek klubi Vllaznia”. Por drejtuesit e Bashkisë, me një të rënë të lapsit e lëvizën klubin nga godina e tij pas 70 vitesh. Thanë shkoni në pallat të sportit, në një ambjent pa dyer e dritare, pa asnjë komoditet për punë por të gjitha i kemi ba me atë kolektiv të mrekullueshëm që ka ekzistuar në klub.
-Do të pasurohet klubi Vllaznia edhe me të tjera kupa tashmë pas largimit tuaj?
-Nëse funksionon kështu siç është aktualisht klubi dhe me ata trajnera të mrekullueshëm që janë pjesë e klubit Vllaznia, sukseset nuk do të mungojnë asnjëherë.
-Së fundi, do të vazhdoj të jetë Gëzim Mema sërish pranë sportit edhe tani që ka dalë në pension?
-Sigurisht që po. Unë nuk do largohem asnjëherë prej tij. Kam filluar të merrem me diçka por dua t’i zbuloj pak më vonë planet e mia megjithatë e rëndësishme është që unë do jap sërish kontributin tim për sportin.

Gjergj KOLA