Kur flasim per atletiken shkodrane te femrave, kuptohet qe kurrsesi nuk mund te anashkalosh Adile Danin, njeren prej kampioneve dhe rekordmeneve te medha te ketij sporti. Po ndalemi sot tek ajo, ngaqe feston 73 vjetorin e lindjes.
Adilja ka lindur në Shkodër më 16 prill 1948, në lagjen “Ndocej” e cila ka nxjerrë sportistë dhe sportdashës të mrekullueshëm. Ajo e ka nisur sportin që në moshë të vogël por në vitet e mëvonshme do të linte gjurmë me rezultatet e saj.
Në vitet 1965-72 do të thyente 5 herë rekordin e garës së 400 metrave duke i ulur shifrat e saj nga 60″2 në 58″6. Por jo vetëm kaq. Do të thyente 5 herë edhe rekordin e garës së 800 metrave duke i ulur shifrat nga 2’20″3 në 2’13″3.
Po 5 herë do të thyente edhe rekordin e garës së 1500 metrave ku rezultatin më të mirë e ka arritur në vitin 1968 me kohën 4’50″00.
Adile Dani do të fitonte medaljen e artë në krosin Ballkanik për të reja më 10 prill 1966, aty ku edhe ekipi shqiptar doli i pari.
Ka marrë pjesë në shumë evenimente të atletikës si në Budapest, Kinë, Bullgari etj, duke thyer në to me dhjetëra rekorde. Mban disa tituj, atë ‘Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Heroinë e Sportit”, “Nderi i sportit shqiptar” dhe po ashtu edhe çmimin “Palok Nika”.
Nderkohe dy vite me pare, eshte vleresuar si “Sportistja e Shekullit” per SK Vllaznia ne kuadrin e festimeve te 100 vjetorit te ketij klubi.
Tituj këto që i meriton plotësisht sepse në karrierën e saj ka arritur të fitojë me dhjetëra tituj e rekorde. Pa lënë kurrsesi mënjanë medaljet e shumta, tre arit dhe 97 te bronzit. Të gjithë këto suksese ajo gjithmonë ia ka dedikuar trajnerit të saj, të mirënjohurit Feti Dizdari dhe në fakt, jo vetëm ajo por gjithë ai brez i artë i sportisteve të atyre viteve të cilat kanë nderuar veten, klubin Vllaznia dhe Shkodrën me sukseset e shumta që kanë arritur.
Me rastin e ditelindjes, gazeta “Shkodra Sport” i uron kampiones Adile Dani edhe 100 vite te tjera te lumtura bashke me familjen e saj!
Gjergj KOLA