Nga Senad Nikshiqi

E fillume qy n’kohna t’maparshme, zyrtarisht Shkodra do ti nepte jetë futbollit at’ 16 shkurt t’vitit 1919. Sa shumë kanë kalue. 94 vjet. E pamposhtun, triumfuese e kryenaltë. Shkodra e tanavet ! U ba edhe Shkodra e futbollit.

Burrat e dijshëm t’qytetit, tuj mënjanue ata punë t’vshtira t’atyne vitevet jo t’lehta ku Shqypnia ndodhesh, gjeti kohën për me lind “Vllazninë”. E lindën, e mandej e vunë në nji djep aq të fortë sa qi edhe sot qindron i pal’kundun. U rriten bijtë e Shkodrës tuj ba jehonë në tan Shqypni e matanë kufijvet. N’ata fusha t’baltosuna, me ata topa t’harrnuem, tuj nis që nga Palok Nika e tanë mas tij krijune ktë buçetë kaq t’bukur qi kena fatin me e pas t’ngjallun edhe mas 94 vjetsh. Nji histori e tanë. Nji gja aq e madhe qi nuk din me u zbraz. Në tanësinë e saj nuk mundet me pas errsinë po veç shndrin me ata rreze qi na shpojnë aq fort edhe kyt 16 shkurt.

Kjo Vllazni e madhe ! Kjo emblemë e vendit ! Kjo Shkodër e krijueme nga natyra e po nga ajo e destinume për me ken revolucionare, themeluese e me vlera t’veçanta, vuni vulen e saj edhe tek loja me top e kambë. Aq shumë futbollista, trajnera e zemra tifozash, saqi as ata librat e lashtë me faqet e pambarimta nuk do t’ishin t’bollshme për me përshkrue Vllazninë. Me mijëra djem qi me mund, përkushtim, sakrifica e nji punë t’palodhshme banën që edhe tek futbolli tan kombi me i kthy sytë nga Shkodra, e me u përkul para ktij oborri me vlera mbretnore qi brenda mbante e mban edhe lojën e futbollit. Nji artileri e randë që nuk mundi me e humb kurrë luften por qindroi ballpërpjetë tuj dal fitimatare në tana betejat e tu i ndej përmbi çdo dallge që detet i prunë n’kohna t’ndryshme.

U munduen për vite tana me e shkel, me e përul, me e thy, me e shkatrru, me e mbyt, me e tremb, me e zvarrit e me e zezue krejt por asnjiherë nuk munden me arrit n’qëllim. Her e fortë e her e brishtë, sipas rrjedhnave t’kohës, Vllaznia pati fuqinë me ken ajo që na u tregu, ajo qi na njohim, ajo qi asht n’fakt, rrelike e paçmueshme. Kjo dinasti, kurrë nuk e humbi shkëlqimin e saj. U mbajt fort qysh te rranjtë e t’parvet e nuk vonoi me e kthy në nji traditë që e mori zili tan Shqypnia e futbollit. Ndejti n’at hijeshinë e saj, siç rrin Rozafati e me freskinat e liqenevet e lumenjvet t’Shkodrës diti me e gjet tan kohën rrugën e saj tuj ken përherë nderi i stërgjyshave tanë e padyshim brez mas brezit deri tek na t’sotmit.

Vllaznia jonë përmes Kombëtares t’futbollit e çoi zanin e saj der t’famshmen Gjermani, Irlanden magjike t’asokohe e tjera kombe t’hueja. Edhe sot ba me i pyt Bekenbauer,e tjerë para tij e mas tij, nuk asht çudi nëse trupit tyne nuk i hin e dridhna ba me i përmend emna si Sabah Bizi, Ramazan Rragami apo ndjesë pastë, Mehdin Zhega. E përveç ktyne, shumë e shumë emna tjerë kanë kontribue me tan pastërtinë e tyne për me na dhan nji Vllazni pse jo t’shenjtë, sepse kshtu asht futbolli për nji qytet si Shkodra. Edhe n’dit ma t’zeza t’Shqipnisë, n’luftna e regjime gjithfarit, kohna t’zymta e mbyt’se, Vllaznia e Shkodrës arrinte me gëzue zemrat e pafundme jo veç në Shkodër por tifozat e saj që ja nisin prej majes Vermoshit e der n’Saranden e largtë. Bante dallim, tan e ndjeshin se ashtu si nji kangtar i veçantë edhe Vllaznia kishte nji akordë ma shumë në lojën e saj që askush nuk kishte fuqinë me e arritë.

94 vjet jetë. 94 vjet histori. 94 vjet pasion. 94 vjet shkëlqesë. 94 vjet nder. 94 vjet krenari. 94 emocion. 94vjet krynaltësi. 94 vjet e pamposhtun. 94vjet zemra t’gufueme. 94 vjet shpërthim shpirtnash. 94 vjet sakrificë. 94 vjet brohorima. 94 vjet respekt. 94 vjet gëzim. 94 vjet sy t’shndritshëm. 94 vjet ambëlsi. 94 vjet djep i futbollit. 94 vjet Vllazni. 94 vjet ku gjithsecili prej atyne qi n’tana mnyrat shpenzoj tuj vu n’funksion dhuntitë personale për Vllazninë, meriton shumë-shumë e mes ktyne meritave, patjetër nji falenderim t’madh t’përjetshëm e t’përzemërt. Ata qi dhanen gjak për futbollin, Shkodra ka dit me i nderu, me i mbajt n’kujtesë t’gjithmonshme e me ken n’çdo zemër shkodrane si t’pazëvendësueshëm.

Kjo asht dita ma e bukur qi veç festës t’madhe, ata që n’dit e sotme veshin fanelen qi për t’paren herë e veshi Palok Nika me shokë, duhet me dit se ç’ka kan veshë, ç’ka simbolizon ajo fanelë, çfarë randsie ka, sa peshë ka bluza e tyne, paasrdhës të kujt janë, ku i kanë rranjët, a e ndjekin traditën, a trashigojnë vlerat e t’parvet, a e meritojnë at’ fanelë, e çdo ditë me dhan maksimumin e me e qujt vedin me fat qi t’pakten njiherë paten shansin me shkru emnin e tyne n’listen e gjatë përkrah emnave ma t’mdhej t’futbollit shqiptar.

Vllaznia nuk mbet veç n’kufijtë e nji ekipi t’thjeshtë t’futbollit. Bota e saj asht shumë ma e madhe, shumë ma e gjanë. Aja nuk asht nji pronë shpirtnore do ta qujsha veç e shkodranvet, por e tanë atynvet anë e mbanë Shqypnisë qi vazhdojnë me e dasht aq sa munden. Asht e bollshme nji shkndijë (si aja n’Korçë) për me mbush tempullin qi mban emnin e nji tjetër djalit t’saj t’nderuem, t’famshmit e t’madhit Loro Boriçi. Veç nji sinjal i vogël duhet, e shkalltë e atij stadiumit mbushen si kërkund n’Shqypni për me i dhanë nji mbështetje t’fuqishme Vllaznisë tonë t’dashtun. Për mos me përmend ktu, kur n’Shkodër vjen ndonji trofe, i gjithë qyteti e feston si me ken në nji dasëm t’madhe tu i vu kunoren kësaj nusje ! E dasma tilla kena pas plot, tuj e pagëzue shumë herë Vllaznisë si mbretneshë e vendit !

Jo veç na shkodrantë, por tanë dashamirsit e futbollit, duhet me kenë krenar qi Vllaznia asht kjo qi asht. Jo veçse e përhapi futbollin në tanë vendin, por sepse qy at’ ditë e der sot vazhdon me i dhan tonin futbollit shqiptar. Na e dimë, qi pa kte Vllazni, Shqypnia n’kte aspekt do t’ishte e mangët. Nuk do t’kishte nji prej pjesve ma t’randsishme t’saj pa t’cilen mekanizma e futbollit nuk kishte me funksionu e me ken ajo qi ishte e ajo qi vazhdon me ken. Shkodra, Vllaznia e saj rriti djem t’jashtëzakonshëm qi nuk ditën kurrë me u lodhë për 94 vjet me rradhë. Shumë djersë e derdhun, shumë mund, shumë sakrifica e vshtirsina qi djemtë e Shkodrës ditën me i kapërcye pa u ankue asnjiherë për me na mbush me at’ g’zim qi te secili prej nesh patjetër asht i pambarimtë. Tuj kenë kshtu, kjo Vllaznia, siç e qujnë “djep i futbollit shqyptar”, “aristokracia e futbollit shqyptar”, sepse ashtu asht, meriton rrespektin maksimal t’mundshëm prej tanvet qi e dunë me zemër.

E nuk mundem mos i uru sukseset ma t’mdhaja n’ktë 94 vjetor, edhe pse gjendja e saj sot qi flasim asht e l’kundun pak. E megjithë se nuk asht aja Vllazni qi jena msu me pa, e për ktë ndjejmë dhimbje t’forta, gjithmonë ka vend për shpresë, e ma s’shumtit për ktë Vllazni qi ka tregue ma s’mirtit se din me i ballë vshtirsinavet, me i kapërcye e me shku atje ku tanë dishrojmë tek tradita e saj e hershme. Nji erë e lehtë ka nis me fry aty n’Shkodër, por patjetër qi nuk asht e mjaftueshme e për ktë kena besimin se Vllaznia ka me mund me u kthy n’identitet e me rimarr at vend qi i takon e ma tepër qi i shkon për shtat. Du me e mbyll tuj uru, shumë suksese, sa ma shumë trofe, shumë emocione pozitive, sa ma shumë nji futboll t’bukur e t’çiltër, t’kena sa ma shumë djem t’talentum, nji stadium t’mbushun çdo herë siç ka kenë gjithmonë për me rikthye ftyren e vërtetë t’Vllaznisë, futbollin e traditës shkodrane qi për 96 vjet dehi nji Shqypni t’tanë ! Paçi mbarsi e fat ! T’bardha ju shkofshin motet ! Gëzuar diten e lindjes Vllazni !