Një telenovelë argjentinase që pasurohet me një episod të ri. Maradona kundër Icardit. Në fakt, në këtë “duel” marrin pjesë bashkëshortja dhe njëkohësisht menaxherja e sulmuesit të Interit, Wanda Nara, dhe Gannina Maradona, e bija e legjendës së futbollit argjentinas. El Pibe de Oro, gjithmonë ka qenë kritik për Mauriton. Arsyeja? Që kur i “rrëmbeu” gruan Maxi Lopezit, sidomos në aspektin human, vlerësimi për sulmuesin aktual të Interit ka qenë zero.
Kur u hodh shorti i Botërorit në Russi, Maradona deklaroi se: “Sampaoli i bëri ftesë Icardit, edhe pse ishte i dëmtuar, duke lënë jashtë Higuainin, që gjithmonë ka shënuar. Ftoi Icardin, atë që luan futboll me fëmijët e Maxi Lopezit. E di të gjithë historinë. Wanda ka telefonuar tre herë Bauzan dhe katër herë Tata Martinon dhe nuk e di se sa herë mund të ketë marrë Sampaolin. Është një histori e shëmtuar”. Wanda Nara, pak ditë më vonë, replikoi, por pa e përmendur emrin e Maradonës:“I bëj thirrje angjencisë antidoping të ketë kujdes, sepse në evente kaq të rëndësishme gjithmonë ka njerëz të papërshtatshëm, që kërkojnë t’i shkatërrojnë këto momente fantastike, duke shpikur gjëra në momentin dhe vendin jo të duhur.”
Ka ndërhyrë menjëherë në këtë përplasje në distancë Giannina Maradona, duke thumbuar drejtpërdrejt Wanda Naran: “Sa keq, që edhe pse ke fëmijë, nuk mund t’i evitosh kritikat për një person rreth të kaluarës së tij. Kujtoj të kaluarën tënde dhe jam shumë e lumtur që ti e ke lënë pas. Wanda, varësia nuk është një shaka, pas saj ka shumë dhimbje. Nuk jam dakort me mijëra gjëra që thotë babai im, por e vlerësoj shumë që mundi të shërohej nga kjo varësi, që u ka bërë keq të gjithëve.”