Kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika në një intervistë për “Panorama Sport”, ka komentuar konkurrencën që është futur në ekip pas afrimeve në merkaton e janarit. Gjithashtu, ai shikon 6 ekipe për zonën “play-out”, pikërisht vendin e tetë që të çon në një ndeshje shtesë për mbijetesën.
Gilman, pësuat një humbje në fund ndaj Tiranës, ndërsa tashmë përpara keni një ndeshje ku ju duhet fitorja për të arritur kualifikimin…
Sigurisht që nuk ndihemi mirë që humbëm në atë mënyrë, por të gjithë e dinë që ekipi zhvilloi një ndeshje të mirë, sidomos në pjesën e dytë. Me këtë dua të them se nuk e meritonim humbjen, por futbolli i tillë është dhe duhet pranuar tashmë ai rezultat. Duhet të fokusohemi për të bërë mirë në vazhdimësi, duke minimizuar në maksimum gabimet.
Afrimet e fundit e kanë fuqizuar më shumë ekipin apo kanë prishur në njëfarë mënyre edhe ekuilibrat te Vllaznia?
Personalisht mendoj se ekipi është fuqizuar. Asnjëri nga ne s’duhet të mërzitet nëse nuk luan një ndeshje. Thjesht duhet t’i fusë një marsh më shumë në punën e përditshme dhe të zërë vendin në formacion. Kjo konkurrencë e ndihmon shumë skuadrën.
Vllaznia ka treguar se në ndeshjet në transfertë bën më mirë. Prisni të njëjtat rezultate edhe në këtë pjesë të dytë të sezonit?
Kam besimin se ekipi do të jetë më mirë se në pjesën e parë të sezonit. Në ndeshjet që luajmë jashtë, skuadra ka një qetësi të admirueshme. Kemi zhvilluar ndeshje të mira dhe shpresoj që kjo qetësi duhet të jetë edhe në stadiumin tonë. Unë kam bindjen se gjërat do të ndryshojnë për mirë në këtë pjesë të mbetur të sezonit.
Gjithsesi, aktualisht jeni në zonën “play-out” dhe të rrezikuar…?
Për “play-out” unë mendoj se janë gjashtë klube në lojë. Çdo ekip që është mbi ne, aq sa ka afër Europën, ka edhe ndeshjen shtesë për të qëndruar në Superiore. Prandaj, ne duhet që të shikojmë për lart dhe jo të futemi në stres për të rrezikuar rënien. Duhet të luftojmë shumë për t’u larguar sa më shumë nga kjo zonë ku jemi aktualisht.