Kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika, është shprehur se fitorja ndaj Lushnjës është e një rëndësie të veçantë.

Sipas tij, një fitore ndaj një kundërshtari direkt ka krijuar një besim te kuqeblutë, por thotë se ndeshja me Teutën është vendimtare.

“Për ne takimi me Lushnjën ishte jetë a vdekje. Presioni ishte i madh te ne, por ua kam thënë edhe para takimit djemve që të besojmë te forcat tona dhe të japim maksimumin.

Mendoj se bëmë një lojë të mirë, ishim kërkues dhe dominues në çdo aspekt. Mendoj se kemi marrë një trepikësh të artë, por që nuk është asgjë, pasi kemi shumë punë përpara.

Duhet që të mos na bëjë të fluturojmë, por të jemi më të vëmendshëm dhe të kërkojmë që të vijojmë me të tjera rezultate pozitive. Kemi bërë vetëm detyrën. Asgjë më tepër në këtë takim”, ka thënë kapiteni i Vllaznisë.

Teuta- Një tjetër përballje vendimtare është ajo e së dielës me Teutën. Edhe në këtë takim, trepikëshi është një detyrim për kuqeblutë. Një takim tjetër final për ekipin e Gjokës për sa i përket vazhdimësisë.

Sipas kapitenit, fitorja është i vetmi synim i kuqebluve. “Takimi me Teutën është i një tjetër rëndësie për ekipin tonë. Nuk ka asnjë kuptim që të kemi alternativë tjetër edhe në këtë takim veç fitores.

Duhet që të fitojmë këtë takim, jo për hakmarrje ndaj kësaj skuadre, por për të mposhtur një kundërshtar direkt. Është një tjetër finale për ekipin tonë. Duhet që të tregohemi të qetë dhe të tregojmë një shpirt të lartë gare.

Do të kërkojmë një fitore tjetër që do të sillte edhe më shumë qetësi”, vijoi Lika.

Vazhdimësia– Ndërsa kapiteni është i bindur se, nëse fitohet besimi, atëherë do të arrihet edhe suksesi. Ai ka besim te grupi dhe shpreson se e ardhmja do të jetë më e mirë.

“Unë e kam theksuar edhe më parë se ne nuk jemi për këtë pozicion në tabelën e klasifikimit. Kaluam momente jo të mira që na futën në presion psikologjik, që edhe sot po e vuajmë. Unë mendoj se në momentin që mund të kalojmë këtë situatë, atëherë do të flasim më ndryshe.

Mungesa e rezultateve ka ndikimin e vet. E thashë: nuk është momenti që me një fitore me Lushnjën të flasim me superlativa dhe të themi se kaluam gjithçka.

Por unë, duke parë edhe grupin e lojtarëve që jemi, vazhdoj të jem optimist për të ardhmen”, vazhdon mesfushori.

Përjetimi– Ndërsa, në fund të fjalës së tij, Gilman Lika e aprovon deklarimin pak ditë më parë të vëllait të tij, një tjetër futbollist, Harris Lika, sesi e përjeton një humbje kapiteni kuqeblu.

“Presioni i familjes, tifozëve dhe i të gjithë të afërmve është i madh. Është e vërtet që e përjetoj keq dhe nuk më bëhet të dal nga shtëpia pas një humbje. Nuk është e lehtë të dalësh dhe të komunikosh me një popull që e do futbollin”, përfundon Gilman Lika per gazeten “Panorama Sport”.