Gilman Lika, i cili prej disa vitesh është transferuar në Dubai, ku trajnon në një nga akademitë vendase ka folur së fundmi për “Panorama Sport”. Shkodrani është ndalur te ndeshja Vllaznia-Partizani, ku shprehet se kuqeblutë duhet të ishin më të kujdesshëm për të marrë pikët e plota.

Po ashtu, ish-kapiteni i Vllaznisë dhe Tiranës ndan një mendim edhe për klasiken e mesjavës. Ku pret një ndeshje spektakolare mes dy skuadrave më të vjetra në vend.

Kampionati kthehet shpejt në mesjavë me klasiken Tirana-Vllaznia. Ke qenë kapiten i të dy skuadrave, si e sheh Lika këtë duel?

Klasikja është ndeshja që ka dhuruar gjithmonë emocione dhe spektakël. Nuk besoj se do të zhgënjejë as kësaj radhe. Sepse janë dy skuadra që janë të etura për fitore dhe besoj se kjo do e shtojë luftën sportive e po ashtu dëshirën për të triumfuar.


Ndonjë parashikim apo golashënues?

Vllazninë e shoh disi më të favorizuar, sepse në syrin tim është më në formë. Tirana mbetet gjithmonë një kundërshtar i fortë për këdo. Prandaj duhet pasur kujdes nga bardheblutë.