Për ish-kapitenin e Vllaznisë, Gilman Lika, kuqeblutë duhet të futen sërish në merkato për të gjetur dy-tre futbollistë cilësorë, të cilët i përkasin kryesisht repartit të sulmit. Ish-mesfushori shkodran tha se futbollistët e repartit të sulmit, duhet të bëjnë shumë më tepër në ato raste që iu paraqiten.
Në një intervistë për “RTSH Shkodra”, Lika u shpreh se Kraiova u vlerësua më tepër se duhej, ndërsa theksoi se kundërsulmi ishte ajo që çaloi te Vllaznia në ndeshjen e kthimit në Rumani.
“Ishte një ndeshje shumë e vështirë, pavarësisht se ishte shpresa që do bënim diçka më ndryshe, por realisht e kishim parashikuar që do të ishte një ndeshje shumë e vështirë, duke ditur cilësitë individuale që kishte ekipi i Kraiovës. Gjithsesi, futbollistët e sulmit duhet të bëjnë shumë më tepër dhe përsëri jam i idesë që e kemi vlerësuar Kraiovën më shumë se e ka merituar.
Ekipi funksionoi mirë deri në momentin e shënimit të golit të pare, ishin në ekuilibër. Profesor Mireli kishte vendosur t’i presë prapa. Kjo është një taktikë që jo vetëm Vllaznia, por edhe ekipet e mëdha si Real Madrid ose Manchester City, e përdorin në futbollin modern. Për mendimin tim, ajo që çaloi ishte kundërsulmi, sepse kur zgjedh një taktikë të tillë, sigurisht që duhet menduar edhe si ta godasësh kundërshtarin. Duhet të ishim më efikasë, më me besim. Ishte e nevojshme të krijoheshin disa aksione në mënyrë që të shënonim, ku disa raste mund të ishin shfrytëzuar shumë më mirë. Kjo është për pjesën e minutave që akoma nuk kishim pësuar golin.
Pjesa e parë krijoi idenë që ekipi i Kraiovës do e kishte shumë të vështirë për të shënuar. Çdo minutë e më shumë do të shtohej presioni tek ekipi i Kraiovës dhe isha i bindur që do të krijohej një aksion që të shënonim, por rezultoi e kundërta. Goli ishte një meritë individuale e futbollistit dhe pastaj u prish ekuilibri në fushë.
Ndërrimet që bëri profesor Mireli ishin të pritshme dhe mendoj që do i kishte bërë çdo trajner. Në pjesën e dytë e ndeshjes së parë, ato dhanë një impuls tjetër ekipit, arritën të shënonin golin. Në ndeshjen e kthimit me treshen në formacion, ekipi reagoi shumë mirë, deri në momentin që u shënua goli. Duhet pranuar që ekipi i Kraiovës ishte më lart se sa ne, por jo gjithmonë në atë nivel që ne e vlerësuam.
Personalisht, mendoj që ekipi ka nevojë minimumi për 2-3 futbollistë cilësorë në pjesën e sulmit, në qoftë se, ne duam të pretendojmë për titullin kampion. Kjo është këshilla ime”,-mbylli prononcimin e tij, ish-futbollisti i Vllaznisë dhe tashmë trajner me moshat, Gilman Lika.
Maringlen ZHIVANI