Në një lidhje përmes skype në emisionin “Sport Arena” në TV Rozafa kapiteni i Vllaznisë ka shprehur bindjen se FSHF, në bazë edhe të udhëzimeve që ka marrë nga UEFA, do të bëjë çmos për ta çuar kampionatin deri në fund.

“Kemi tre javë që po qëndrojmë brenda dhe na duket vetja si në burg. Po na luajnë mendtë nga një situatë por shpresojmë që gjithçka të normalizohet shumë shpejt dhe ne të vijojmë jetën normale.

Por deri sa të ndodh kjo, iu bëj thirrje të gjithëve që të zbatojnë rregullat e të qëndrojnë brenda në mënyrë që ky virus të na ikën sa më shpejt.

Sa i takon futbollit, jam i bindur se do të rikthehemi sërish në nivele të mira, për të filluar aty ku e lamë. Shpresoj që ky rikthim të jetë sa më i shpejtë, por megjithatë, edhe nga kontaktet që kam me të gjithë futbollistët e tjerë të Vllaznisë, ato janë duke u munduar të mbajnë formën.

Mendoj se do ta bëjnë këtë gjë në mënyrën e duhur që kur të rifillojnë ndeshjet, ne ta nisim aty ku u ndërpre kampionati kur po kalonim një formë shumë të mirë”.