Mesfushori shkodran që luan për Tiranën, ka mbërritur në qytetin e tij për të kaluar festat e fundvitit. Rrjedhimisht, nuk kanë munguar as ngacmimet në adresë të tij nëse do ishte dakord që të vazhdonte karrierën tek Vllaznia për pjesën e mbetur të sezonit. Tifozë të shumtë kanë qenë të interesuar për këtë gjë por edhe gazetarë e njerëz të tjerë. Gilman Lika megjithatë nuk thotë as “po” dhe as “jo”.
Megjithatë lë të kuptojë se është në pritje të zhvillimeve të reja në krye të klubit shkodran. “Pyetja për të ardhmen time më është bërë shpesh këto ditë. Por sigurisht që nuk do ta kem të lehtë të vendos. Tirana kërkon të më mbajë sërish, po ashtu kam oferta edhe nga skuadra të tjera, Brenda dhe jashtë vendit, megjithatë edhe drejtues të Vllaznisë më kanë kontaktuar dhe kanë shprehur dëshirën e tyre për të më patur në skuadër. edhe unë nuk mund ta fsheh dëshirën për të luajtur sërish në Shkodër por duhet parë se çfarë do ndodhë. Këtu flitet edhe për ardhje të drejtuesve të rinj. Mendoj se kjo do ishte e rëndësishme sepse do kishte më shumë financa, jo për mua këtu por për të sjellë në skuadër lojtarë më cilësorë që edhe Vllaznia të kishte pretendime më të mëdha. Në kushte të tilla, më duhet të pres se çfarë do të ndodhë në krye të klubit shkodran për të vendosur pastaj edhe për të ardhmen time. Për momentin nuk jam duke u nxituar. Kam kontratë me Tiranën deri më 8 janar dhe besoj se deri në atë datë do të kem vendosur edhe për fatin tim të mëtejshëm se ku do ta vazhdoj karrierën”-ka thënë Lika.
www.shkodrasport.com