Prej tre muajsh e gjysëm është jashtë Vllaznisë megjithatë mbetet një tifoz i zjarrtë i saj. Gilman Lika vazhdon ta ndjekë rregullisht skuadrën e qytetit të tij të lindjes, skuadrën ku u bë i njohur si futbollist dhe ndjehet mirë për ecurinë që ka patur në këtë fillim-sezoni.

Duke folur në lidhje me ecurinë e skuadrës kuqeblu në këto ndeshje të para, ish- kapiteni i kuqebluve gjatë emisionit “Sport Shoë” është shprehur:

Nuk mund të thuash shumë gjëra për këtë Vllazni sepse këtë gjë e tregojnë rezultatet që ka arritur me 4 fitore në 4 ndeshjet që ka luajtur deri tani. Pra është një start i shkëlqyer i saj.

Nëse do të isha pjesë e skuadrës, gjëja e vetme që do t’u thosha djemve do të ishte ajo që të qëndronin me këmbë në tokë sepse është vetëm fillimi dhe gjëja më e rëndësishme është se si përfundon kampionati.

Ne si shkodranë e kemi pak në gen që fluturojmë direkt, prandaj duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë për të patur një vazhdimësi të mirë.

Shorti në këto ndeshjet e para ka qenë disi i lehtë sepse të dy kundërshtarët duhet pranuar se kanë qenë nën nivelin e Vllaznisë. Nga sa kam parë unë në këto ndeshjet e para, besoj se janë 3-4 lojtarë që do ta ndihmojnë shumë ekipin, gjithsesi është herët për të folur. Nëse skuadra do ketë këtë vazhdimësi, besoj se e gjithë Shkodra do të jetë e kënaqur”.

Ndërkohë, i pyetur në lidhje me ndeshjen e së shtunës Vllaznia- Tirana, Gilman Lika, futbollisti që ka luajtur me të dy ekipet, nuk ka një ide të qartë për rezultatin e saj teksa thotë:

“Nuk mund të kemi një ide për rezultatin e ndeshjes të së shtunës, duke e ditur se do të jetë ndeshja e parë e Vllaznisë me një kundërshtar të fortë. Dhe nuk është se deri tani dhe e kemi parë ekipin me kundërshtarë serioz, prandaj nuk kam ndonjë ide të qartë sesi do të reagojë ekipi”./SHKODRA-SPORT.COM/