Ish-kapiteni i Vllaznisë dhe aktualisht trajner i kuqebluve u-17, Gilman Lika ka qenë i ftuar mbrëmë në Star Sport. Ish-mesfushori ka komentuar barazimin e fundit kundër Laçit, duke u shprehur se pa diçka pozitive tek skuadra. Ndërsa shtoi se patjetër pret akoma më shumë nga futbollistët e shkodranëve.

Lika tha: “Një barazim kundër Laçit në transfertë nuk mund të konsiderohet një rezultat negativ. Skuadra edhe mund ta fitonte ndeshjen, pas barazimit ku reagoi shumë shpejt me Markun. Kishte edhe dy mundësi që mund të shfrytëzoheshin më mirë. Por pashë shkëndija pozitive nga ekipi, sikur kishte një ritëm më ndryshe nga javët e shkuara.

Pika ka vlerë, por unë pres akoma më shumë nga lojtarët e Vllaznisë. Kjo duke parë futbollistët që kanë kuqeblutë, ndër më cilësorë në kampionat. E patjetër me këtë kualitet do pretendohet edhe për titull. Prandaj them se Vllaznia krijon pak duke parë cilësinë që ka. Skuadra duhet të krijojë akoma më tepër për rezultatet akoma më pozitive.

Ndeshjet e rradhës ? Do jenë Bylis dhe Erzeni në Shkodër. Nuk mund të nënvlerësohet askush sepse skuadrat nuk kanë diferenca, por Vllaznia duhet me patjetër ti fitojë këto dy ndeshje. Qoftë edhe me një lojë jo të mirë, pasi në këto momente ekipi ka nevojë për pikë që mund të japin shumë moral në të ardhmen”.
Endri ÇINARI