Para stërvitjes së sotme e cila ishte e para në grup për ekipin e Vllaznisë, për gazetarët ka folur dhe kapiteni Gilman Lika. Ai ndër të tjera ka thënë se rikthimi në formën e duhur do të jetë disi i vështirë.
“Falë Zotit erdhi kjo ditë për t’iu rikthyer sërish stërvitjes dhe realisht jemi të gëzuar që kjo ditë. Periudha që
kaluam ka qenë stresuese dhe e mërzitshme për secilin prej nesh. Gjithësecili prej nesh është munduar të bëjë seanca
individuale, por kuptohet që në kushte shtëpie nuk është një stërvitje aty ku duhet dhe ndryshim shumë me stërvitjen
në grup”- ka thënë Lika.
Ndërkohë i pyetur nëse do të arrijë skuadra të kapë formën e duhur në këtë periudhë të shkurtër, Lika thotë se kjo është e pamundur, megjithatë ka nxjerrë në skenë një problem jo të vogël, atë se skuadrat nuk janë të gjitha të barabarta në këtë moment, ngaqë kanë kohë që stëviten në mënyrë të fshehtë.
“Vllaznia vështirë se do të arrijë të kapë formën e saj 100 për qind aty ku duhet të jetë dhe madje jo vetëm por edhe
ekipet e tjera nuk do jenë në gjendje ta arrijnë atë me përjashtim të ndonjë ekipi që ka 4-5 javë që bën stërvitje në
mënyrë të fshehtë. Siç e shikoni, ekipi i Vllaznisë sot zhvilloi seancën e parë stërvitore dhe për tre javë që fillon
kampionati, nuk ka shans të jemi në formën tonë më të mirë”- ka thënë Gilman Lika.
Ne fund Lika shton: “Me ardhjen edhe të trajnerit dhe të lojtarëve maqedonas në ditë në vijim çdo gjë do t’i kthehet normalitetit. Ne jemi brenda objektivave në fakt si në kupë ashtu edhe në kampionat. E kam përsëritur edhe më përpara se më erdhi keq që kampionati u ndërpre në një moment kur ekipi po kalonte një formë shumë të mirë sportive por tani duhet të shtrëngojmë veten duke e ditur se koha në dispozicion është shumë e pakët dhe prandaj duhet të bëjmë maksimumin në stërvitje por edhe në aspektin inviduale në mbajtjen e regjimit sepse do të jetë shumë e vështirë për ta përballur si duhet kampionatin deri në fund”.
© shkodrasport.com