Sfida e orës 16:00 në mes Tiranës dhe Vllaznisë po pritet me shumë interes në të dy kampet. Njëri nga lojtarët që ka luajtur me të dy skuadrat është edhe shkodrani Gilman Lika.
Ai ka dhënë një intervistë për mediat teksa është shprehur: “Mendoj se është një ndeshje delikate për të dy ekipet, nisur edhe nga pozicionet që ka secili ekip në renditje. Për Vllaznia është një mundësi e mirë për të ruajtur kreun ndërsa për Tiranën është shansi i fundit që të mos dalë pa gjë nga ky sezon.
Të dy ekipet do të hyjnë në fushë për të marrë maksimumin. Për Tiranën fitorja është detyrim ndërsa Vllazninë e shoh më të qetë nga ana psikologjike dhe prandaj e konsideroj më të avantazuar atë për të marrë fitoren në këtë ndeshje.
Fakti që luhet në Tiranën nuk është një avantazh për bardheblutë ngaqë ndeshjet luhen pa tifozë. Jam i bindur se do të jetë një ndeshje shumë e bukur për t’u parë nga të gjithë ne. Klasikja e futbollit shqiptar gjithmonë ka dhuruar emocione dhe kështu besoj se do të ndodhë edhe këtë herë.
Vllazninë e shoh më të favorizuar sepse do të luajë më e qetë. Edhe nëse humb, për të nuk do të ishte një dramë dhe këtë faktor ajo duhet ta shfrytëzojë. Për këtë arsye, e përsëris, Vllaznia ka më shumë shanse për ta fituar këtë ndeshje”./SHKODRA-SPORT.COM/