Pas shumë dilemash dhe përpëlitjesh, duket se Gilman Lika ka vendosur të qëndrojë bardheblu, për të paktën, edhe për pjesën e mbetur të këtij sezoni. Mesfushori i Kombëtares ka sqaruar përfundimisht pozicionin e tij për të ardhmen, negociatat me Tiranën dhe pritshmëria për të firmosur kontratën e re, ndonëse janë për t’u vendosur, apo përcaktuar disa klauzola, që lidhen me kohëzgjatjen e saj. “Mund të them se tani jam i Tiranës, pavarësisht se ende nuk kam firmosur kontratën e re. kam biseduar shumë gjatë ditët e fundit me drejtuesit e klubit dhe kemi rënë dakord parimisht për të qëndruar këtu”,- kështu është shprehur Gilman Lika. Por në lidhje me atë se çfarë e pengon për të firmosur kontratën e re me bardheblutë, apo pse po vonohet firmosja e saj, ai shpjegon: ”E thashë që kemi rënë dakord parimisht, por kemi edhe disa detaje të vogla pa i sqaruar tamam. Gjithsesi, janë detaje që duhen sqaruar dhe përcaktuar mirë përpara se të firmosim”. Kështu tani mbetet sqarimi i këtyre detajeve të fundit për të sjellë edhe firmën mbi kontratë të Gilman Likës.
Klauzolat. Duket se mesfushori shkodran kërkon më shumë hapësirë, apo lirshmëri në klauzolat e kontratës, që do të thotë të lëvizë pa penalizime në verë, nëse atij i vjen ndonjë ofertë e mirë nga jashtë. “Ajo çfarë mbetet për t’u përcaktuar, apo për ta zgjidhur, lidhet me kohëzgjatjen e kontratës dhe klauzolat që lidhet me largimin e mundshëm të timin nga kjo skuadër, duke pasur parasysh se në verë gjërat mund të lëvizin, apo ndryshojnë. Vetëm kjo pikë, e cila do të negociohet, ka mbetur pa zgjidhje që besoj se do ta gjejmë gjuhën e përbashkët edhe këtu. Pastaj çdo gjë do të vazhdojë normalisht si më parë”,- ka thënë në mbyllje mesfushori Gilman Lika, i cili që tani mund të konsiderohet përsëri bardheblu.

Mejdan ZHIVANI