Ronald Kuman është detyruar sot të braktisë në mes konferencën për shtyp para ndeshjes së radhës të Barcelonës kudnë Seviljes, për shkak të një të papriture të pakëndshme. Trajneri i katalanasve, është larguar nga salla pasi nuk ndalte dot hemoragjinë e gjakut në hundë që i shpërtheu ndërsa po jepte përgjigjet.

Kuman ndali dy herë fjalët e tij, për t’u pastruar, ndërsa i kullonte gjak nga hundët dhe nuk dukej se ishte në gjendje të kontrollonte situatën. Kjo detyroi zëdhënësin për shtyp të Barcelonës që t’u komunikonte gazetarëve se për trajnerin për momentin ishte e pamundur t’u përgjigjej në vijim pyetjeve, duke e shoqëruar atë jashtë sallës.

Kjo nuk është hera e parë që trajnerit i ndodh një gjë e tillë, pasi kishte ndodhur edhe në janar para sfidës me Atletik Bilbaon. Gjithçka ka lidhje me problemet shëndetësore që ka vuajtur trajneri i cili është operuar në zemër thuajse një vit më parë.

Në majin e vitit të kaluar ai kaloi një infarkt e që atëherë, kurohet duke marrë edhe hollues gjaku. Kjo i shkakton shpesh hemoragji nga hundët, gjë që këtë radhë i ndodhi ndërsa u përgjigjej gazetarëve. /vipsport/